Dosja e Prokurorisë për përleshjen me armë në ndeshje futbolli

Bardhyl Canolli, i akuzuar për armëmbajtje pa leje është ballafaquar me rrëfimet e dëshmitarëve në Gjykatën e Gjilanit.

Sipas Prokurorisë, Bardhyl Canolli akuzohet për shkak se me datën 07 shtator të vitit 2014, gjatë një ndeshje futbolli e ka siguruar dhe mbajtur në pronësi armën e zjarrit-revolen si dhe mjetin e ftoftë-shkopin në formë të shkopit të Policisë, pa lejen e organit kompetent.

Dëshmitari Përparim Sijarina, deklaroi se ditën kritike kur ka ndodhur ngjarja ai së bashku me familjen e tij kishin shkuar të luanin futboll në Fshatin Krilevë.

“Kanë qenë dy ekipe nga ana jonë të cilat kanë qenë duke pritur për të luajtur. Në njërën nga këto dy ekipe ka luajtur edhe Bardhyli. Gjatë lojës ekipi i Bardhylit u eliminua, kurse ekipi tjetër me të cilin kanë luajtur vëllezërit e mi kanë vazhduar me lojë. Ndërkohë kanë ardhur personat në fjalë të cilët janë paraqitur në cilësinë e të dëmtuarve. Këta persona vazhdimisht kur ka luajtur ekipi i tyre kanë bërë presion në drejtim të vëllezërve të mi, duke i ofenduar me fjalë të ndryshme”, tha dëshmitari Sijarina.

Mbrojtësi i të akuzuarit e pyeti dëshmitarin se në cilën anë të fushës keni qenë ju në atë moment.

“Ne kemi qenë në anën e djathtë, së bashku me ne ishte edhe Bardhyli”, tha dëshmitari.

“Prej vendit ku kemi qenë, rreth 20-30 metra më larg ka ndodhur rasti. Të njëjtën distancë kanë qenë edhe pala tjetër. Por në fushë të parët kanë hyrë pala kundërshtare, aty ka ndodh çka ka ndodh pastaj deri sa jemi bërë gati me dal prej aty dhe jemi nis për në shtëpi. Unë përpos që e kam parë Bardhylin që e ka nxjerr shufrën nuk e kam parë qe ka pasur armë dhe jam i bindur që nuk ka pasur armë”, deklaroi dëshmitari.

Në pyetjen e prokurorit se a ke vërejtur se në fushë ishin edhe dy polic civil.

Dëshmitari u përgjigj se “Po e kam ditur se në fushë ishin edhe policët civil, Riza Demolli dhe Milaim Demolli, sepse ata i kam njohur dhe e kam dit se janë polic”.

“Në kohen kur ka ndodhur ngjarja-konfrontimi edhe policët civil kanë qenë në fushë. Ata janë përpjekur ta qetësojnë situatën së bashku me organizatorin”, përfundoi dëshmitari Përparim Sijarina.

Dëshmitari tjetër, Egzon Canolli deklaroi se ka qenë prezent kur është luajtur turniri i futbollit në fshatin Krilevë.

“Deri sa ka qenë duke u luajtur loja e futbollit në mes dy ekipeve që njëra ishte e jona e tjetra nuk me kujtohet se e kujt ka qenë, kemi qenë duke e shiku lojën dhe vazhdimisht ata të cilët janë tani të dëmtuar unë vazhdimisht i kam dëgju duke i fyer të gjithë lojtarët me fjalë të ndryshme. Pak para se me ndodh ky rast ata kan shku te vetura dhe kanë marr diçka. Pastaj ata janë kthyer në fushë dhe gjatë zhvillimit të lojës ata kanë vazhdu me fyerje kurse papritmas ju kanë vërsul Bardhylit”, deklaroi dëshmitari Egzon Canolli.

Kur ka hyrë Bardhyli në fushë kam hyrë edhe unë.

“Në fushë kur kemi hyrë dy palët Bardhyli e ka nxjerrë një shufër metalike që e kishte pasur në çantë. Konfrontim në mes neve nuk ka pasur, atë ditë nuk e di që ka pasur polic me rroba civile, sepse nuk i njoh”, tha dëshmitari Egzon Canolli.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se “a e ke parë se çka kanë marrë nga vetura ata personat?”.

“Nuk e di sepse kur kanë shku në veturë kemi qenë më larg dhe s`kam mundur t`i shoh se çka kanë marrë prej veture”, tha Canolli.

Kryetari i trupit gjykues e pyeti dëshmitarin se “a ke qëndru së bashku me Bardhylin derisa ishin duke u zhvilluar lojët e futbollit?”.

Dëshmitari tha se “Po gjatë gjithë kohës kam qëndruar së bashku me Bardhylin në afërsi”.

“Pas momentit që ka ndodhur rasti na kanë ndarë organizatorët dhe e di se plot njerëz kanë biseduar me Bardhylin. Unë nuk e di se dikush e ka kapur për krahu, ndoshta e kanë shoqëru policët civil, por unë nuk e di sepse nuk i njoh”, u shpreh dëshmitari Egzon Canolli.

I akuzuari Bardhyl Canolli deklaroi se nuk e pranon fajësinë pasi që konsideron se veprat penale që ia ngarkon aktakuza nuk i ka kryer.

Mbrojtësi i të akuzuarit av. Mursel Ahmeti kërkoi nga i akuzuari që të sqarohet lidhur me rastin që ka ndodhur në ditën kritike.

I akuzuari deklaroi se në ditën kur ka ndodh rasti ishte në oborrin e shkollës së Fshatit.

“Pas tri ndeshjeve unë me ekipin tim u diskualifikova nga gara e më tejme, kurse ekipi tjetër shkoi në finale dhe e fitoj turnirin. Në ditën kritike unë kam marr pjesë si futbollist në tri ndeshje. Ne kemi qenë duke e shikuar ndeshjen e fundit dhe atë si të hysh në hyrje të fushës në pjesën e djathtë, afër meje kanë qenë familjarët, shokët dhe prezent kan qenë edhe dëshmitarët që u dëgjuan sot. Kah mesi i lojërave së turnirit kanë ardhur vëllezërit Leci të shoqëruar me disa persona të tjerë dhe kanë qenë duke shikuar përball neve”, tha i akuzuari Canolli.

Sipas tij pala tjetër vazhdimisht kanë qëndruar brenda vijave të fushës së futbollit duke i penguar lojtarët.

“Në minutat e fundit para se me përfundu loja njëri nga vëllezërit Leci afrohet te vëllai i vet dhe e merr çelësin e veturës dhe vrapon në drejtim të veturës, merr diçka nga aty dhe kthehet tek vëllai i vet ku ishin duke qëndruar. Pastaj m`u kanë afruar mua duke më kanë fyer me fjalë të ndryshme. Unë e kam pasur një kamerë në dorë, por atë e kam ndal dhe e kam futur në çantën të cilën e kam pasur me vete. Duke parë zhvillimet e ngjarjes jam detyruar të nxjerr shufrën të cilën e kisha me vete”, deklaroi tutje i akuzuari.

Prokurori e pyeti të akuzuarin se cila është arsyeja se në Prokurori ke deklaru se nuk kanë intervenu policët civil në fushë dhe se as nuk kanë qenë fare në fushë, kurse tash po deklaroni se kanë intervenu dhe kanë qenë prezent në fushë.

Dëshmitari deklaroj se “Deklarata që e jap sot është e saktë, kurse deklaratën e dhënë në Prokurori  nuk më kujtohet saktë pasi ka kaluar kohë bukur e gjatë”.

“Nuk është e vërtet se vëllezërve Lecaj u jam kërcënuar me fjalët se kam me ju vra, sepse nuk kam pasur arsye. Arsyeja se pse e kam pasur atë ditë shufrën me vete unë kam qenë duke punuar në Post Telekomin e Kosovës dhe shufra e njëjtë ka qenë zyrtare, të njëjtën kam pasur të drejt ta marr edhe me vete në shtëpi”, deklaroi i akuzuari Canolli.

Seanca e sotme u shty për datën 14 tetor.