Prapa grilave - Ilustrim

Dosja e Prokurorisë për palestinezin e dyshuar për disa vjedhje në Prishtinë

Gjykata e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit K. B.

Sipas njoftimit të Gjykatës dyshohet se, i dyshuari K. B. ka kryer dy vepra penale, asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe vjedhje e rëndë.

I pandehuri K. B. dyshohet se kryer këto vepra penale në Prishtinë dhe atë brenda një dite në intervale të ndryshme kohore. Sipas Prokurorisë njëjti  ka arritur që të vjedhë një automjet dhe gjithashtu me anë të një mjeti të pa identifikuar ka thyer diku rreth 9 automjete dhe nga aty ka arritur të marrë gjësende të ndryshme.

Gjykata vlerësoi se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet në liri i pandehuri  K. B.,  mund të arratiset, pasi që i njëjti është me shtetësi palestineze dhe ka aplikuar për fitimin e të drejtës për Azil në Qendrën e Azilit në fshatin Magure.

Po ashtu sipas njoftimit të Gjykatës, duke pas parasysh që i pandehuri K. B. është person me shtetësi të huaj i njëjti mund ta fshehë identitetin e tij të vërtetë, ashtu që do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke iu shmangur kështu thirrjeve të gjykatës, po ashtu ekziston rreziku se i njëjti mund të përsëris ose të kryejë vepra tjera penale.

Të pandehurit K. B. Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji.