Ilustrim

Dosja e Prokurorisë për ngacmimin seksual të dy të miturve në Mitrovicë

Prokuroria e Mitrovicës ka kërkuar paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm dhe ngacmim seksual ndaj dy të miturve.

Kërkesën për caktimin e masë së paraburgimit ndaj të dyshuarit S. B. Prokuroria e ka bërë në Gjykatën e Mitrovicës.

Sipas Prokurorisë ngjarja kishte ndodhur në vitin 2017, kur i dyshuari S. B. në spitalin e Mitrovicës kishte prekur për qëllime seksuale dhe pa pëlqimin e tij të miturin NN, i cili në atë kohë kishte qenë i shtrirë në spital pas një aksidenti.

Me këtë S. B. dyshohet se ka kryer veprën penale sulm seksual.

Sipas dosjes së Prokurorisë më vonë i pandehuri S. B. e kishte përcjellë me vëmendje të dëmtuarin tjetër NN edhe të shkolla në të cilën mësonte i dëmtuari, pastaj në shtëpi e deri te vendi ku ai kishte punuar.

Me këtë Prokuroria pretendon se i dyshuari ka kryer veprën penale ngacmim.

Një rast i ngjashëm sipas Prokurorisë kishte ndodhur edhe në korrik të këtij viti, kur i pandehuri kishte shqetësuar edhe të mitur NN, të cilin e kishte përcjellë prej shtëpisë në shkollë duke e thirrur edhe në klasë e duke biseduar më zë të ashpër në prezencë të zëvendësdrejtorit dhe shtëpiakut të shkollës.

Tutje në kërkesën e Prokurorisë të siguruar nga Kallxo.com thuhet se i dyshuari kishte tentuar ta marr me qira një banesë afër banesës së të miturit, me ç’rast tek i dëmtuari i mitur ka shkaktuar frikë dhe ankth për jetën e tij.

Edhe më këto veprime S. B. dyshohet se ka kryer veprën penale ngacmimi.

Andaj duke pasur parasysh peshën e veprave penale përmes të cilave është prekur edhe integriteti moral i të miturve, duke sulmuar seksualisht dhe ngacmuar vazhdimisht, duke shkuar në shkollë e ku prezent ishin edhe fëmijët e tjerë, Prokuroria ka konsideruar se masat e tjera më të buta për parandalimin e përsëritjes së veprës penale ndaj të dyshuarit do të ishin të paefektshme.

Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës i pandehuri lidhur me pretendimet e Prokurorisë ka thënë së kurrë nuk i kishte prekur asnjërin nga të dëmtuarit në asnjë pjesë të trupit.

Kurse mbrojtësi i tij avokati Fuad Haliti, lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit S. B., ka deklaruar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, pasi që sipas tij i dyshuari nuk i kishte kryer veprat penale për të cilat dyshohet nga Prokuroria, duke shtuar se ai nuk kishte të bëjë asgjë me këto vepra.

“Të dëmtuarit, njërin e ka takuar në xhami e tjetrin në spital dhe ka pasur vetëm raporte shoqërore“, theksoi mbrojtësi i S. B.

Ai ka kërkuar që të dyshuarit t`i caktohet një masë më e butë se sa ajo e paraburgimit, dhe që ndërkohë t`i kryhet ndonjë egzaminim psikiatrik, pasi që sipas tij ka konsideruar se i dyshuari nuk është mjaft i aftë që ta kuptoj procedurën, e që pas këtij raporti Gjykata të marr veprime të nevojshme.

Ky propozim nuk u kundërshtua nga prokuroja e rastit Fetije Bajrami- Shala.

Pas kësaj gjykatësi i rastit, njëkohësisht edhe kryetari i gjykatës së Mitrovicës Nikolla Kabashiq ka njoftuar palët se gjatë ditës do të marr vendimin lidhur me masën e kërkuar nga ana e Prokurorisë.