Dosja e Prokurorisë për kontrabandën me kafshë nga Maqedonia e Veriu

Seanca gjyqësore ndaj Mexhid Haxhimusës dhe Artan Pajazitit ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Gjilanit.

Haxhimusa po akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës, kurse Pajaziti për shkak të mos lajmërimit të veprës penale.

Shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e prokurorit të kësaj çështje Agron Uka, i cili kishte rast vdekje në familje.

Kryetari i trupi gjykues Agim Ademi tha se “Për shkak se Prokurori, Agron Uka ka rast vdekje në familje, konkretisht i ka vdekur nëna, seanca e sotme nuk do të mbahet, në mungesë të tij”.

Sipas Prokurorisë,  i akuzuari Mexhid Haxhimusa gjatë vitit 2016, në regjionin e Vitisë dhe Ferizajt, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ashtu që është qasur pa autorizim në sistemin e identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve të Agjencisë së Veterinarisë dhe të Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Tutje, sipas aktakuzës, Haxhimusa ka lëshuar certifikata, numra identifikues dhe pasaporta të kafshëve, për të cilat e ka ditur se të njëjtat janë të kontrabanduara nga të akuzuarit Heset Shefkiu, Bekim dhe Daut Reçica (të cilët kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë në Prokurori), dhe në këtë mënyrë ia ka mundësuar që të akuzuarve me këto dokumente që të transportojnë me kamionë kafshët e kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut nëpër territorin e Republikës së Kosovës për në Republikën e Shqipërisë.

Prokuroria e akuzon edhe Artan Pajazitin për shkak se nga muaji korrik 2016 deri në muajin nëntor 2016, në ordinancën e veterinarisë “Indriti”, në Ferizaj, i akuzuari  ka qenë në dijeni për identitetin e kryerësit të veprës penale – të akuzuarit Mexhid Haxhimusa, ashtu që nuk e lajmërojnë një fakt të tillë.

Seanca e sotme u shtye për datën 27 janar.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë qështje:

Pasaportat e kafshëve e ulin në bankën e të akuzuarit veterinarin nga Ferizaj

.