Dosja e Prokurorisë për keqpërdorimet me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë

Abdyl Buja, Mentor Ismajli, Alban Azemi dhe Rizah Azemi, të akuzuar për keqpërdorime me nota dhe regjistrime në Fakultetin e Mjekësisë, të gjithë sërish u deklaruan të pafajshëm për veprat që prokuroria ua vë në barrë.

Ata akuzohen për marrje të ryshfetit, shtytje për marrje të ryshfetit, si dhe legalizim i përmbajtjes së rreme në tentativë.

Te akuzuarit Abdyl Buja prokuroria i vë në barrë se me dashje ka ndihmuar personin tjetër për të kryer vepër penale duke e udhëzuar dhe premtuar se do t`i fsheh provat e veprës së kryer penale.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Buja duke qenë i vetëdijshëm për qëllimin e takimit është takuar me Albisjan Fazliun dhe Feti Ismajlin në Lipjan me dëshirë që të regjistroj Albisjanin në degën e Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë në UP në Prishtinë. Sipas dosjes së prokurorisë, pas dështimit të tij për të kaluar provimin pranues. Gjë të cilën e ka arritur duke i lëshuar vërtetim nga administrata qendrore e UP-së si student në vitin akademik 2011/12 në këmbim të parave në shumës prej 3000 euro.

Sipas aktakuzës Abdyl Buja me dashje ka kërkuar përfitim nga i pandehuri Albisjan Fazliu për vete dhe një zyrtar të panjohur për një veprim që nuk është dashur të kryhet.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Buja me vetëdije të plotë ka kërkuar 12 mirë euro me dëshirë që të përfitoj materialisht duke e këshilluar se nga dega e Stomatologjisë ka për të ja lëshuar diplomën e kryerjes së këtij Fakulteti.

Prokuroria e akuzon Abdyl Bujën edhe se së bashku me Mentor Ismajlin kishin marrë nga e pandehura Rajmonda Borovci shumën prej 5000 euro për ta regjistruar në fakultetin e Mjekësisë së UP-së dhe duke i premtuar se përmes autoritetit dhe emrit të ish-ministrit të arsimit Ramë Buja do  t`i nxisin personat zyrtarë të këtij fakulteti që e njëjta të regjistrohet në këtë fakultet pa i respektuar procedurat ligjore të regjistrimit.

Të njëjtit akuzohen edhe se kishin nxitur të pandehurën Hyrije Koraqi që të jap shumën prej 2,000.00 euro duke i premtuar se në kundërshtim me detyrat e zyrtarëve kompetent të këtij Fakulteti, do t’ia rregullojnë pozitën e saj me kontratë formale nga kontrata si asistente e angazhuar e Kimisë analitike në asistente të rregullt të Fakultetit të Mjekësisë.

Abdyl Buja së bashku me Rizah Azemin dhe Alban Azemin akuzohet edhe për veprën penale legalizim i përmbajtjes së rreme në tentativë, sepse me dashje kanë tentuar t`i vënë në lajthim zyrtarët e Fakultetit të Mjekësisë përmes dokumentit publik të falsifikuar.

Ndaj të akuzuarve Albisjan Fazliu, Muhib Fazliu, Rajmonda Borovci, Granit Kastrati dhe Hyrije Koraqit gjykata e ka hedh aktakuzën për shkak se është arritur parashkrimi i veprave penale.

Në gjykimin e së hënës kishin për të dëshmuar dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, e të cilët munguan, të njëjtit nuk e kishin arsyetuar mungesën, ndërsa për dëshmitaren Luljeta Begolli gjykata nuk pati dëshmi se e njëjta ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt për në seancë.

Prokurori i shtetit Shkëlzen Ibrahimi, i propozoi gjykatës që seanca të shtyhet meqenëse ishin në pritje të një vendimi të Gjykatës së Apelit lidhur me lëndën e Feti Ismajlit, e cila ishte e veçuar dhe e njëjta gjendet në Apel, dhe pasi të arrij lënda nga Gjykata e Apelit të zhvillohet një procedurë e përbashkët me të akuzuarit e tjerë, meqenëse kishin të bënin edhe me prova të njëjta si dhe mbi arsyetimet tjera se mungojnë dëshmitarët të cilët ishin propozuar nga prokuroria e shtetit.

“Jemi në pritje të vendimit të gjykatës së Apelit sa i përket Feti Ismajlit, kisha propozuar me u bashku procedura edhe me të dhe meqenëse nuk ka kushte”, tha prokurori Ibrahimi.

Meqenëse propozimin e prokurorit të shtetit e kishin përkrahur, të akuzuarit dhe mbrojtësi i të akuzuarit Mentor Ismajli, gjykata ka shtyrë seancën për një datë të pacaktuar, deri sa lënda e Feti Ismajlit të kthehet nga Gjykata e Apelit, në mënyrë që e njëjta të bashkohet me këtë lëndë dhe të zhvillohet një procedurë e përbashkët.

 

Pazaret në Fakultetin e Mjekësisë, vëllai i ish-ministrit Ramë Buja në bankën e të akuzuarit