Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë për grabitjen e taksistit në malet e Gllogocit

Gazmend Avdiu, Fitim Behrami dhe Milaim Duraku, të akuzuar nga Prokuroria për grabitje kanë dhënë fjalët përfundimtare në gjykimin ndaj tyre.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Gazmend Avdiu dhe Fitim Behrami  pas marrëveshjes paraprake, duke përdorur forcën dhe kanosjen serioze më 14.2.2019 rreth orës 00:51 minuta, me qëllim që t`i sjellin vetës ose tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme kanë kërkuar nga i dëmtuari Berat Namani që me taksi t’i dërgojë në Gllogoc.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Milaim Duraku i ka përcjellur me veturën e tij private, dhe kur kanë mbërri te një vend malor.

Tutje në aktakuzë theksohet se i akuzuari Gazmend Avdiu i ka thënë të dëmtuarit Berat Namani të ndal veturën për t’i kryer nevojat e tij, pasi ka dal nga vetura, i dëmtuari ia ofron veturën të pandehurit që ai të hyp dhe në atë moment i pandehuri Gazmend Avdiu e ka hap derën, i pandehuri Fitim Behrami e ka kap për qafe nga mbrapa me dorën e majtë, ndërsa në dorën e djathtë ia ka qit në qafë një mjet të fortë me të cilin e ka shtyp, dhe në këto momente i pandehuri Gazmend Avdiu ka bërtit “qiti paret, qiti paret”, e pastaj e ka kërcënuar “qiti me telefon, me kulet me krejt paret çka i ki përndryshe të vras, të la qetu, a e din kush jam unë”.

Sipas aktakuzës, pas kësaj i dëmtuari i nxjerr 56 euro që i kishte pazar ditor, rreth 25-30 euro ia jep të akuzuarit Gazmend Avdiu, i cili i thotë “mos gabo me i tregu dikujt për këtë se të del problem”.

Siç përshkruhet në aktakuzë i dëmtuari duke u kthyer rrugës, e sheh një veturë duke ardhur në drejtim të kundërt të cilës ia bënë me drita duke i treguar se çka ka ndodhur, ndërsa ky person nga dritarja i ka thënë “a po a, po kthena edhe unë se po tutna”.

Pas rastit i dëmtuari e ka identifikuar këtë person në polici përmes fotos, i cili është i pandehuri Milaim Duraku, për të cilën i dëmtuari ishte i bindur se ka qenë me veturë duke e përcjellë veturën taksi të dëmtuarit, derisa të pandehurit Gazmend Avdiu dhe Fitim Behrami kanë kryer grabitje.

Në seancën e së hënës (09.12.2019) prokurorja e shtetit Besa Limani në fjalën përfundimtare deklaroi se bën ricilësimin e veprës penale për të cilën akuzohen tre të pandehurit.

Prokurorja kërkoj nga gjykata që tre të akuzuarit t`i shpallë fajtorë dhe t`i dënojë sipas ligjit.

“Mbetem pranë aktakuzës me rikualifikim të sotshëm sepse konsideroj se të pandehurit janë penalisht përgjegjës, se me dashje kanë kryer veprën penale dhe i propozoi trupit gjykues që t’i shpallë fajtor dhe t’i dënoj sipas ligjit.

I akuzuari Gazmend Avdiu dhe Fitim Behrami pas ricilësimit të veprës penale nga prokurorja e shtetit deklaruan se e pranojnë fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Përderisa, i akuzuari Milaim Duraku deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Milaim Duraku, avokat Ramë Gashi në fjalën përfundimtare deklaroi se aktakuza nuk ka prova se i mbrojturi im e  ka kryer veprën penale, për të cilën akuzohet edhe pas rikualifikimit ligjor të veprës penale të bërë në seancën e sotme nga prokuroria e shtetit.

“I propozoj gjykatës që të njëjtin në mungesë të provave se ka kryer veprën penale, për të cilën akuzohet në aktakuzë ta lirojë nga akuza. Po ashtu, i propozoi gjykatës që t’ia ndërpres masën e paraburgimit klientit të tim”, tha avokati Gashi.

Gjykata shpalljen e aktgjykimit pritet ta bëjë më 11.12.2019 në ora 13:00.