Gjykata Themelore e Pejes - Foto: :Atdhe Mulla

Dosja e prokurorisë për fajde: Për 200 euro janë paguar mbi 4,000 euro nga viktima

Një aksion i Prokurorisë së Pejës ka vënë në pranga dje dy të pandehur që janë motër e vëlla, të cilët po dyshohen që kanë kryer vepër penale të fajdesë dhe ndaj tyre Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit.

D.M. po dyshohet se ka kërkuar nga viktima një shumë të të hollave që ai ia kishte borxh bashkëshortit të saj, tani të ndjerit XH.M.

Prokuroria thotë se viktima, fillimisht ia kishte borxh shumën prej 200 eurove të ndjerit XH.M. që ishte bashkëshorti i të pandehurës, e që pastaj viktima në emër të fajdesë, ka paguar te XH.M. shumën e të hollave prej 4,050 eurove.

Sipas hetimeve, i dëmtuari çdo muaj me datën 12, i ka dërguar te XH.M. shumën prej 150 eurove.

Dosja e Prokurorisë thotë se pas vdekjes së të ndjerit, e pandehura në emër të fajdesë së bashkëshortit të saj ka kërkuar nga i dëmtuari pagesën duke ju drejtuar atij me fjalët “nesër me datë 12.09.2021 me i pru 150 euro”.

Edhe vëllai i të pandehurës, i dyshuari A.M. po dyshohet se ka kërkuar nga viktima e njëjtë shumën e të hollave në emër të dhëndrrit të tij të ndjerit XH.M.

Prokuroria e Pejës ka kërkuar paraburgimin ndaj dy të pandehurve, nën dyshimin se kanë kryer vepër penale të fajdesë.

Ndërsa dy të pandehurit sot në seancë përgatitore, kanë mohuar të kenë kryer atë vepër penale.

“Mu me vjen keq dhe ndihna e turpëruar që po dal para gjykatësit e prokurorit për këtë vepër, sepse nuk e kam bërë”, tha e pandehura D.M.

“Mu po me vjen marre me dal para gjykatës për këtë vepër, nuk e kam kryer këtë vepër”, tha i pandehuri A.M.

Edhe mbrojtësit e tyre, e kundërshtuan kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit duke e konsideruar atë si të pabazuar, duke thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e Prokurorisë të përshkruar në aktvendimin e hetimeve.

Ndërsa prokurori Dorian Juniku shtoi se dukuria e fajdeve, është tejet shqetësuese në rajonin e Dukagjinit, ku shpesh viktimat i kanë shkaktuar dëm vetes për shkak të fajdesë.

KALLXO.com ka raportuar për pretendimet e Prokurorisë lidhur me kanosjen e familjarëve të të pandehurve në drejtim të viktimës.

Gjyqtari i çështjes, Sejdi Blakaj pritet të vendos për kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Prokurori: Familjarët e të pandehurve të arrestuar për fajde, kanë shkuar mbrëmë e kanë kanosur viktimën