Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Për çka dyshohen 30 të arrestuarit në Karaçevë

Prokuroria  e Gjilanit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj 30 të arrestuarve në Karaçevë

Një hetim 1 vjeçar i Prokurorisë së Gjilanit, rezultoi me një aksion ku u përfshinë arrestime të shumta të pronarëve të kazinove dhe disa zyrtarëve policorë.

Prokurorja e rastit Rozelida Manastiri ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 30 të dyshuarve të cilët janë arrestuar gjatë aksionit të mbrëmshëm në Karaçevë.

Zyrtari Policor me iniciale F.L., po dyshohet për dy vepra penale, kontrabandim me mallra dhe organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

I njëjti po dyshohet se në cilësi të zyrtarit policor, në mënyrë të vazhdueshme ka ndihmuar, fshehur  dhe nuk ka penguar  kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve të tjerë, të cilët duke kaluar  vijën kufitare kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin  e  mallrave të ndryshme.

Po ashtu, i njëjti, në lokalin e tij në të njëjtin vend, në vazhdimësi ka organizuar lojërat e fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Ndërsa sipas Prokurorisë 11 zyrtarëve tjerë Policor të arrestuar gjatë aksionit të mbrëmshëm, në cilësi të zyrtarëve policor, kanë ndihmuar, lehtësuar, fshehur dhe nuk kanë penguar kryerjen e veprës penale nga ana e të dyshuarve tjerë, të cilët kanë shmangur kontrollin doganor, përmes rrugëve ilegale dhe kanë bërë kontrabandimin  e  mallrave të ndryshme, andaj që të gjithë po dyshohen për veprën penale kontrabandim me mallra.

Ndaj të gjithë të dyshuarve tjerë që janë arrestuar gjatë aksionit të mbrëmshëm, Prokuroria është duke hetuar për disa vepra penale.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, 14 të arrestuarit tjerë dyshohen se kanë kryer veprat penale Kontrabandim me mallra, pasi në bashkëpunim mes vete dhe zyrtarët policor gjithashtu të dyshuar në këtë rast, në mënyrë të vazhdueshme kanë shmangur kontrollin doganor dhe përmes rrugëve ilegale kanë bërë kontrabandim me mallra.

Kurse edhe ndaj 4 të arrestuarve të tjerë, Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit, nën dyshimet se kanë bërë organizimin e lojërave të fatit, të cilat janë të ndaluara me ligj.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit pritet që të mbahet nesër, para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Pas arrestimeve dhe para se të bëhej rrënimi i objekteve Policia e Kosovës në bashkëpunim me IKP dhe ATK kanë konfiskuar aparaturat e kazinove që ishin duke operuar ilegalisht në Karaçevë.

KALLXO.com që nga fillimi i operacionit ka raportuar nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha lajmet me foto dhe video mund t’i gjeni në këtë LINK