Ilustrim

Dosja e Prokurorisë për aksidentin që përfundoi me vdekjen e 7 vjeçares në Pejë

Një vajzë 7 vjeçare ka humbur jetën nga një aksident që ka ndodhur ditë më parë në rajonin e Pejës.

Aksidenti ku ishin përfshirë dy vetura ka ndodhur me 7 janar këtij viti në rrugën Istog-Pejë, në fshatin Ozdrim.

Prokuroria lidhur me rastin ka filluar hetimet kundër L.D dhe B.G.

Për të dyshuarin L.D është kërkuar paraburgimi.

Kërkesën për përcaktimin e paraburgimit ndaj L.D, Prokuroria e mbështet në atë se pasur parasysh peshën e veprës penale dhe dënimin që i kanoset të pandehurit, paraqitet rreziku i arratisjes dhe pengimi në rrjedhën e procedurës.

“Shtuar këtu faktin se në mes të familjes së të pandehurit dhe të dëmtuarit, nuk është arritur ndonjë pajtim familjar”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë drejtuar Gjykatës.

Dosja e Prokurorisë sqaron se përderisa i dyshuari B.G. kishte filluar në mënyrë të pasigurt kthimin në të majtë, atij ia kishte ndërprerë rrugën L.D. Ky i fundit, duke mos ia përshtatur shpejtësinë kushteve të rrugës, e kishte goditur me pjesën e parë ballore të veturës në pjesën e parë të anës së djathtë veturën e B.G.

Nga goditja, vetura e B.G. ishte rrokullisur, ishte kthyer mbrapa dhe më pas kishte rënë në një kanal.

Si pasojë e aksidentit ka vdekur e mitura A.G, ndërsa lëndime të rënda trupore ka pësuar B.G. dhe bashkëshortja e tij N.G.

Prokuroria e ngarkon të dyshuarin L.D. me vepër penale rrezikimi trafikut publik që rezulton me vdekjen e një personi, ndërsa të dyshuarin B.G. me veprën penale të rrezikimit të trafikut publik duke rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasurisë.

Gjykata e Pejës pritet që sot të vendosë lidhur me kërkesën e Prokurorisë.