Prokuroria Themelore në Pejë

Dosja e Prokurorisë: Ndihmon mikun e vëllait të bëhet veteran

Veterani luftëtar i UÇK-së, Gani Manaj, i akuzuar se ka prezantuar dokument të falsifikuar me qellim të përfitimit të pagës se statusit të veteranit luftëtar, nuk është paraqitur sot në Gjykatë.

Ndërsa prezent ishte i akuzuari tjetër Ismet Isufi nga Skenderaj, i cili po akuzohet se e ka këshilluar dhe udhëzuar Gani Manajn nga Gllareva e Klinës, të cilin e ka mik të vëllait për mënyrën e sigurimit të dokumenteve të falsifikuara për statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së.

Në këto rrethana seanca e sotme gjyqësore është shtyrë për 23 janar.

Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës, ka deleguar për hetime të mëtutjeshme Prokurorisë se Pejës mbi 7000 aplikacione nga “Dosja e Veteranëve të Rrejshëm”.

Për hetimin e këtyre dosjeve Prokuroria e Pejës ka caktuar dy prokurorë me vendim.

Sipas të dhënave qe ka siguruar KALLXO.com deri më tani Prokuroria e Pejës ka ngritur mbi 40 aktakuza lidhur me këtë dosje.