Ilustrim

Dosja e Prokurorisë ndaj të dyshuarëve për detyrim: Nuk del gjallë nga Peja nëse nuk paguhen 16 mijë euro

Katër persona kanë përfunduar në pranga në një operacion të drejtuar nga Prokuroria në Pejë. Kështu ka bërë të ditur prokurori Astrit Gashi, në një konferencë për media.

Gjykata e Pejës jua ka caktuar paraburgim katër të dyshuarëve, Nysret Lajqit, Shefki Hysenit, Aleksandër Radiçeviqit dhe Lavdim Zhubajt.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, 4 të pandehurve iu është caktuar 1 muaj paraburgim.

Prokuroria e Pejës po pretendon se rasti ka të bëjë me një veturë, e që përfshin periudhën kohore, në nëntor të vitit 2019 në Mitrovicë e deri me 16 dhjetor 2019 në Pejë e Istog.

Në aktvendim e siguruar nga KALLXO.com thuhet se, Aleksandër Rakiçeviq dhe Shefki Hyseni ia japin të dyshuarit Nysret Lajqi, veturën e pronarit Serdjan Dushiç, pa pëlqimin e këtij të fundit.

“Vetura i është dhënë të pandehurit Lajqi që të ua kthej, edhe pse qëllimi ishte i pagesës së një borxhi të të dyshuarit Aleksandër Radiçeviq”, thuhet në aktvendim për caktimin e paraburgimit ndaj katër të dyshuarëve.

Sipas prokurorisë, vetura kap vlerën prej 52 mijë euro dhe po dyshohet se gjendet në posedim të të dyshuarit Nysret Lajqi.

Nysret Lajqi dhe Lavdim Zhubaj, po dyshohen edhe për vepër penale të detyrimit.

Të njëjtit përmes kanosjes serioze, kanë kërkuar nga i dëmtuari Serdjan Dushiç shumën prej 16 mijë eurove për kthimin e veturës.

“Nuk del gjallë nga Peja nëse nuk paguhen 16 mijë euro”, konsiderohen se janë fjalët kanosëse në drejtim të Dushiçit.