Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarit se mori ryshfet për ta punësuar një person në KEK
Në gjykimin ndaj inxhinierit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Sylejmon Pllana në seancën e datës 06.11.2024 janë dhënë fjalët përfundimtare.
Sylejmon Pllana po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës, ka kryer veprat penale “marrje ryshfetit” dhe “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Prokurori Besnik Jakupi fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkuar dhe të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta.
Prokurori Jakupi në fjalën përfundimtare tha se përgjatë shqyrtimit gjyqësor në mënyrë të plotë është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të përshkruara si në aktakuzë, dhe kërkoi nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë dënim sipas ligjit.
Në anën tjetër fjalën përfundimtare në formë të shkruar e dorëzoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sylejmon Pllana, avokati Nexhmedin Sejdiu, i cili të njëjtën e elaboroi në pika të shkurta.
Avokati Sejdiu në fjalën përfundimtare tha se kemi të bëjmë më një aktakuzë të zbehtë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje avokati Sejdiu tha se i mbrojturi i tij është plotësisht i pafajshëm dhe kërkoi nga gjykata që ta lirojë nga akuza.
Ndërsa i akuzuari Sylejmon Pllana deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij.
Çfarë thotë aktakuza?
Sipas aktakuzës së datës 26.01.2021 Sylejmon Pllana akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), me qëllim që t`i sjell vetit përfitim pasuror duke e keqpërdorur detyrën e tij zyrtare gjatë muajit prill 2019 ishte takuar me Egzon Hysenin dhe i kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 5,500 euro duke i premtuar se do ta punësonte në KEK si vozitës.
Tutje, sipas aktakuzës thuhet se Sylejmon Pllana, fillimisht e kishte pranuar shumën prej 2,000 euro nga i akuzuari Egzon Hyseni, e pastaj në një takim tjetër ai kishte pranuar edhe shumën prej 500 euro.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, Sylejmon Pllana pjesën tjetër të parave në shumë prej 3,000 euro i kishte thënë të pandehurit Egzon Hyseni, “m`i jep kur ta marrësh pagën e parë në KEK.
Me këto veprime, Sylejmon Pllana po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja ryshfetit” .
Tutje, sipas aktakuzës Sylejmon Pllana po akuzohet edhe për veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” .
Sipas aktakuzës, i pandehuri Egzon Hyseni akuzohet se gjatë muajit prill 2019, është takuar me të pandehurin Sylejmon Pllana në Fushë Kosovë dhe me qëllim që të punësohej në KEK, fillimisht i kishte dhënë Sylejmon Pllanës shumën prej 2,000 euro e pastaj në një takim tjetër shumën prej 500 euro, kurse për pjesën tjetër të parave në shumë prej 3,000 euro ishin pajtuar që të paguhej pasi i akuzuari Hyseni të punësohej dhe ta merrte rrogën e parë në KEK.
Me këto veprime, Egzon Hyseni akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.