Gjykimi ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte - 16.09.2024 - Foto: Adile Agushi - KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte në komunën e Istogut - 1998/99

Gjykimi ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile filloi të hënën më 16.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Sipas aktakuzës së datës 01.09.2024, i pandehuri Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, akuzohen se gjatë viteve 1998-1999, në Komunën e Istogut, në bashkëkryerje me pjestarë të tjerë të forcave policore serbe kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile.

Këtë lëndë e udhëheq gjyqtari Valon Kurtaj, ndërsa prokuroria përfaqësohet nga prokurorja Ajshe Ferati. Mbrojtja udhëhiqet nga avokatët Dejan Vasiq dhe Nebojsha Vlajiq.

Në seancën e së hënës (16.09.2024) pas një konsultimi të shkurtër me klientët e tyre, avokatët mbrojtës deklaruan se nuk ka kushte ligjore që gjykimi të fillojë pasi akuzën e kanë marrë në gjuhën serbe të premten, ndërsa klientët e tyre nuk e kanë marrë akuzën në asnjërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës.

Gjithashtu, mbrojtja kërkoi dokumentacion shtesë, dosje dhe materiale dëshmuese që do të përdoren ndaj klientëve të tyre.

Ata theksuan se klientët e tyre tashmë janë në paraburgim prej një viti dhe se ende nuk e dinë se për çfarë saktësisht akuzohen dhe për këtë arsye nuk mund të deklarohen rreth fajësisë.

Sipas avokatit Dejan Vasiq, policia ka kryer një hetim derisa klienti i tij ishte në paraburgim, por nuk e ka njoftuar mbrojtjen se në cilin drejtim po shkon hetimi, as nuk ka bashkëpunuar me avokatët mbrojtës dhe as nuk ka ndarë me ta provat që kanë gjetur.

Mbrojtësit u shprehën se për shkak të këtyre kushteve nuk mund të nisin gjykimin pasi përveç gjithçkaje tjetër do të fillonte të mbaronte afati për ankimime të mundshme në këtë proces.

Prokuroria ka marrë përsipër që aktakuzën dhe dokumentet tjera nga ky rast t’ia dorëzojë të akuzuarit në paraburgim sapo të përfundojë përkthimi.

Gjykimi ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte - 16.09.2024 - Foto: Adile Agushi - KALLXO.com
Gjykimi ndaj Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte – 16.09.2024 – Foto: Adile Agushi – KALLXO.com

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Sipas aktakuzës së datës 01.09.2024 i pandehuri Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen se gjatë viteve 1998-1999, në Komunën e Istogut në bashkëkryerje me pjestarë të tjerë të forcave policore serbe vepruan në shkelje të rëndë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas aktakuzës Momir Pantiq nën përgjegjësinë individuale dhe përgjegjësinë komanduese si Kryeshef i Stacionit Policor në Istog, ka kryer vrasje torturë, trjatim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën e Istogut.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës në muajin mars të vitit 1998 në fshatin Lubozhdë, Komuna e Istogut, forcat policore serbe nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, kryen një operacion policor ndaj familjes Pepaj, dhe se në orët e hershme të mëngjesit futen në lagjen Pepaj dhe nga shtëpitë e tyre nxjerrin të gjithë burrat duke i rrahur dhe goditur me pjesën e kondaktit të armës në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi të njëjtit i nxjerrin jashtë në rrugë, i urdhërojnë që të mbështeten për muri-rrethojë në oborrin e shtëpisë së Afrim Pepajt, gjithnjë nën kërcnimin e armëve i kontrollojnë dhe pas ndarjes së të rinjve nga të moshuarit, të moshuarit i lirojnë, ndërsa të dëmtuarit XH. P., I. P., I. P., SH. P., J. P., A. P., R. P., N. P., dhe SH. P., të cilët kanë qenë të moshës së re, i kanë vendosur nëpër veturat e tyre zyrtare dhe i kanë dërguar në Stacionin Policor në Istog dhe i kanë rrahur e torturuar në mënyrën më çnjerëzore.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se gjatë muajit mars në vitin 1988, në Istog nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, i sulmojnë me armë automatike qytetarët të cilët po protestonin në një protestë popullore për shkkak të masakrës së familjes Jashari në Prekaz.

Tutje, derisa protestuesit ishin duke shkuar në drejtim të qendrës së Istogut, forcat policore iu dalin në pritë, të cilët fillimisht kërkojnë që të shpërndahen protestuesit, mirëpo pasi ky urdhër ishte shpërfillur në mënyrë paqësore nga protestuesit, të njëjtit kanë vazhduar marshimin, i pandehuri Momir Pantiq, në cilësinë e kryeshefit të Stacionit Policor në Istog kishte urdhëruar forcat policore serbe, duke iu thënë në gjuhën serbe “pucajte”, në atë moment policia kishte zbatuar urdhërin e dhënë dhe ka filluar të qëllojë me armë në drejtim të protestuesve.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nga këto të shtëna ishin plaogosur shumë protestues, dhe të plagosur rëndë kishin mbetur R. M., dhe H. SH., pastaj protestuesit ishin shpërndarë dhe në gjendje të rëndë ishin trajtuar disa në kushte shtëpie e disa në ambulancë.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, më datë 29.08.1998 në fshatin Shushicë, Komuna e Istogut, forcat policore nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq rreth orës 06:00 të mëngjesit përderisa anëtarët e familjes Salihaj ishin në shtëpinë e tyre, kanë vërejtur se po digjej sana dhe me të dal jashtë në oborr për të parë çka po ndodh, kanë vërejtur se ishin të rrethuar nga pjestarë të policisë serbe të Stacionit Policor në Istog, të cilët kanë qenë të armatosur me armë të gjata dhe autoblinda dhe të njëjtit menjeherë hapin zjarr në drejtim të shtëpisë të të dëmtuarit I. S.

Sipas dosjes së Prokurorisë nga këto të shtëna armësh mbetën të plagosur shumë persona dhe u vranë 9 anëtarët e familjes Salihaj, kurse gratë dhe fëmijët i detyruan të largoheshin nga shtëpia, mirëpo viktima F. S., refuzoi të largohej nga trupi i pajetë i djalit të saj H., dhe qëndroi në shtëpi, kurse në mbrëmje policia dha urdhër që trupat e viktimave të varrosen – gjë që ndodhi më datë 30.08.1998.

Në aktakuzë thuhet se kur trupat e viktimave I. S., SH. S., A. S., H. S.,H. S., M. S., A. S., N. G., (nip i familjes Salihaj) u varrosën në varrezat e fshatit, ndërsa për fatin e F. S., nuk u kuptua deri kur trupi i saj i pa jetë ishte gjetur në fshatin Padalishtë.

Në dispozitivin e katërt thuhet se në vjeshtën e vitit 1998, në orët e mbrëmjes, në fshatin Lubozhdë, forcat policore serbe keqtrajtuan të dëmtuarit S. K., G. M., dhe G. B., derisa të dëmtuarit ishin duke u kthyer nga mali, me të arritur në vendin e quajtur ‘’Dagiq’’ janë ndaluar nga katër policë të Stacionit Policor të Istogut, në mesin e tyre ishte edhe i pandehuri Zharko Zariq, të cilët ishin të armatosur me armë të gjata dhe të uniformuar me uniformë të policisë serbe, ngjyrë e kaltër me lara.

Tutje, në dosje thuhet se fillimisht i zbritën të dëmtuarit nga traktori dhe i shtrinë për tokë, pastaj filluan rrahjen dhe torturimin fizik duke i goditur me kondak të kallashnikovit dhe me shqelma në pjesë të ndryshme të trupit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, në një çast i pandehuri Zariq e kishte kapur të dëmtuarin S, duke e ngritur nga toka dhe e kishte mbështetur për traktori, në ato momente kishte kaluar një traktor tjetër me drita, dhe pasi që ishte errësirë, i dëmtuari e kishte parë fytyrën e të pandehurit të cilit ju kishte drejtuar me fjalët ‘’Zharko ti je a!’’, për çka i pandehuri Zariq ishte revoltuar dhe ia kishte futur tytën e automatit në gojë, duke ia shqyer buzën e poshtme në anën e djathtë dhe ia ka lënduar qiellzën e gojës, me ç’rast të dëmtuarit i kishte filluar gjakderdhja nga goja dhe pas këtyre maltretimeve fizike dhe psikike të dëmtuarit u liruan për të vazhduar rrugën drejt shtëpisë së tyre.

Sipas dispozitivit të pestë të aktakzuzës, në muajin mars të vitit 1999, në fshatin Lubozhdë, forcat policore serbe ku bënte pjesë edhe i pandehuri Zharko Zariq, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq e sulmojnë Lagjen ‘’Pepaj’’, fillimisht shkojnë tek shtëpia e I. P., të cilit i thonë që t`i njoftoj banorët që për 3-4 orë t`i lëshojnë shtëpitë e tyre, kështu që banorët u detyruan që të largohen nga shtëpitë dhe të shkojnë në drejtim të fshatit Studenicë.

Në aktakuzë thuhet se A. P., kishte mbetur në shtëpi mirëpo pas 2-3 javësh ishte larguar nga shtëpia dhe ju kishte bashkuar familjarëve të tjerë, që po qëndronin në fshatin Studenicë dhe aty u kishte treguar se derisa po qëndronte në shtëpi me I. dhe G., i pandehuri Zharko Zariq së bashku me disa policë të tjerë kishte shkuar aty.

Fillimisht i kishte nxjerrë nga shtëpia në oborr A., dhe I., kurse G., kishte mbetur brenda në shtëpi, pastaj i pandehur Zharko me policët e tjerë kishin hyrë brenda në shtëpi dhe në dhomën ku po qëndronte G., e kishin vrarë dhe kanë dal nga shtëpia duke u larguar, kurse A., dhe I., ishin kthyer brenda në shtëpi dhe në atë moment e kishin parë G., të vrarë dhe të prerë në fyt.

Në këtë dispozitiv të aktakuzës thuhet se ndërsa të pandehurit ishin larguar duke shkuar shtëpi për shtëpi, duke kontrolluar e më pastaj duke i vënë flakën secilës shtëpi, me ç‘rast nga ky aksion i forcave serbe kishin mbetur të vrarë: A. P., G. P., A. P.,B. D., një grua e moshuar e familjes Qetin.

Në dispozitivin e gjashtë të kësaj aktakuze, thuhet se në fund të muajit mars të vitit 1999, në fshatin Vreniq, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq i urdhëruan banorët e fshatit Vreniq të lëshojnë shtëpitë e tyre dhe të nisen për në Shqipëri, mirëpo shumica e banorëve të fshatit Vreniq u strehuan në bjeshkën e Starasellës mbi fshatin Shushicë, pasi që aty veçse ishin duke qëndruar edhe shumë banorë të fshatrave përreth.

Tutje, në aktin akuzues në këtë dispozitiv thuhet se pas disa ditë qëndrimi në mal, më datë 05.04.1999 forcat policore serbe filluan granatimet nga dy anët e lugut të Starasellës, çka i detyroi civilët të lëvizin në drejtim të Istogut përmes Gurakocit, të cilët gjatë tërë rrugës kishin parë se si po digjej i tërë fshati Shushicë, ndërsa sa herë që kishin hasur në forca të armatosura serbe, ata ishin maltretuar e rrahur brutalisht nga ana e këtyre forcave, si dhe iu morën të holla dhe gjërat me vlerë.

Tutje, thuhet se afër fshatit Landovicë kolona e civilëve u detyrua të kthehej mbrapa për në Istog, por që ata nuk kishin ku të shkonin pasi që shtëpitë e tyre ishin djegur të gjitha dhe mbi 700 persona u vendosën në Shkollën Fillore “Martin Camaj” në fshatin Kovragë, ku qëndruan përreth 10 ditë.

Kurse, më datë 06.04.1999, rreth orës 16:00 nga një veturë në lëvizje sipas dosjes së Prokurorisë është shtënë mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e kësaj shkolle, aty u vra B. B., 13 vjeçar. Gjatë qëndrimit të tyre në këtë shkollë, civilët shqiptar u vizituan nga Momir Pantiq, i cili i ka pyetur nëse ka ushtar të UÇK-së në shkollë, ndërsa pas disa ditësh policët nga stacioni policor i Gurrakocit, i kanë urdhëruar të gjithë civilët e strehuar në atë shkollë që të largoheshin dhe të vazhdojnë rrugën për në Shqipëri.

Sipas dispozitivit të shtatë, më datë 26.03.1999, në fshatin Padalishtë, Komuna e Istogut, forcat policore dhe ushtarake serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, fillimisht e rrethuan fshatin Padalishtë e më pastaj filluan ta granatonin nga distanca duke i shkatërruar shtëpitë e duke vrarë shumë civil.

Tutje, thuhet se policët e stacionit policor në Istog hynë në fshat dhe kontrolluan shtëpi për shtëpi duke i larguar të gjithë civilët nga shtëpitë e tyre, si rezulatat i këtij operacioni të forcave serbe mbetën të vrarë rreth 19 anëtarë të familjes Imeri.

Në dispozivitin e tetë të aktakuzës, thuhet se më datë 27.03.1999 në fshatin Shushicë, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq i urdhëruan banorët që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre dhe si pasojë e këtij urdhëri dhe nga frika se do t`i vrasin të njëjtit ishin larguar nga shtëpitë dhe ishin vendosur në një mal afër fshatit ku kishin qëndruar disa ditë.

Tutje, thuhet se të njëjtit u detyruan që të largoheshin edhe nga ai vendstrehim sepse forcat ushtarake a serbe kishin urdhëruar depërtimin e tyre për në Shqipëri, ashtu që derisa sa largoheshin nga fshati gjatë gjithë rrugës këta qytetarë civil ishin maltretuar dhe torturuar nga forcat serbe.

Në dosje tutje thuhet se me të mbërritur në Prizren, këta qytetarë ishin ndaluar nga forcat serbe të cilët i kishin kthyer mbrapa për në Istog dhe me të arritur në Istog, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen dhe zbatimin e urdhërave të të pandehurit Pantiq i kishin ndalur dhe i kishin vendosur fillimisht në një depo.

Tutje, thuhet se pas 2 apo 3 ditëve i kishin vendosur në shtëpitë e familjes “Alushajve”, dhe në atë kohë e dëmtuara H. A., kishte qenë shtatzënë dhe më datë 30.05.1999 e kishte lindur vajzën D., në kushte shumë të vështira për jetesë, dhe me shumë vështirësi kishin qëndruar deri në përfundim të luftës.

Sipas dispoztivit të nëntë të kësaj aktakuze, më datë 1 prill 1999, në orët e para të mëngjesit, fshati Cerrcë i Komunës së Istogut u bë skenë e një sulmi të tmerrshëm dhe të dhunshëm nga forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, të cilët vepronin në kuadër të strukturave të atëhershme të sigurisë, në atë mënyrë që njësia policore e këtij stacioni, realizoi një operacion brutal kundër familjes Rexhaj.

Me këtë rast sulmi filloi me rrethimin e shtëpisë së I. R., dhe pasi siguruan rrethimin, forcat policore ndërmorën një aksion të pamëshirshëm dhe të paramenduar mirë, duke vrarë gjashtë anëtarë të pafajshëm të familjes Rexhaj: K. R., Z. R., I. R., SH. R., si dhe R. R., i cili vuante nga probleme të rënda psikike.

Tutje, në këtë dispozitiv thuhet se pas vrasjes së këtyre anëtarëve të familjes, nuk u ndalën vetëm me këto krime, por i vunë zjarrin shtëpisë, duke lënë trupat e pa jetë të viktimave që të digjen brenda saj për t`i fshehur krimet e tyre.

Në dispozitivin e dhjetë thuhet se më datë 13.04.1999, në fshatin Studenicë, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq e sulmuan familjen Lipaj, dhe se pasi kanë hyrë në fshat prej drejtimit të fshatit Lubozhdë deri te burimi i fshatit Vrellë, në mënyre sistematike kanë shkuar shtëpi për shtëpi duke kontrolluar dhe djegur shtëpitë, si dhe kanë lënë të vrarë gjithsej 14 civil të nacionalitetit shqiptar në shtëpinë e tani të ndjerit S. Z..

9 prej të cilëve u  identifikuan: F. L.,-66 vjeçare, S. L.,- 35 vjeçare, L. L., – 13 vjeçare, S. L., – 64 vjeçare, Q. L., – 15 vjeçare dhe M. L., -13 vjeçare, H. M., – 69 vjeçare, Nj. L., – 14 vjeçare si dhe S. Z., – 85 vjeçar, të cilit kishin shkuar në shtëpi në orët e hershme të mëngjesit të përgatisin bukë për anëtarët tjerë të familjes të cilit ishin strehuar në malin afër me civilët tjerë.

Duke menduar se ishin të sigurt këto gra dhe fëmijë kishin vendosur që të shkojnë në shtëpi për të përgatitur bukë për anëtarët tjerë të familjes, mirëpo nga ajo ditë më nuk është ditur asgjë për fatin e këtyre civilëve, deri më datë 25.06.1999 kur trupat e tyre u gjeten të vrarë në bunarin e oborrit të shtëpisë së S. Z., nga familjarët e tyre, kurse me ndihmën e KFORIT spanjoll është bërë tërheqja e trupave nga bunari dhe identifikimi i tyre.

Sipas dispozitivit të njëmbëdhjetë, më datë 08.05.1999, në fshatin Staradran, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, i vranë 15 civil të nacionalitetit shqiptar kurse 2 persona mbetën të zhdukur.

Në aktakuzë thuhet se në ditën e ngjarjes qytetarët civil të këtij fshati janë ndaluar nga forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilët fillimisht i plaçkitën e pastaj i ndajnë burrat nga gratë, e pas një kohe të shkurtër i sulmojnë me armë duke i vrarë në oborrin e të dëmtuarit Z. E., rreth 16 civilë të nacionalitet shqiptarë, të cilët nuk ishin pjesëmarrës në konflikt të armatosur.

Sipas aktakuzës këto viktima janë: D. G., H. E., N. E., M. E., M. E., SH. E., N. E., A. E., I. A., M. D., B. D., R. SH., G. I., B. M. dhe J. A., kurse personi i gjashtëmbëdhjetë N. E., i mbijeton sulmit.

Në aktakuzë thuhet se trupat e pajetë të civilëve të vrarë ishin varrosur në një varrezë masive, të gjithë së bashku, nga pjesëtarët e komunitetit rom të cilët ishin urdhëruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Sipas dispozitivit të dymbëdhjetë, më datë 08.05.1999 forcat policore serbe duke vepruar nën përgjegjësinë komanduese të të pandehurit Pantiq, si Kryeshef i Stacionit Policor në Istog e kanë rrethuar fshatin Staradran, dhe si pasojë e këtij veprimi banorët e këtij fshati u detyruan që t`i lëshojnë shtëpitë dhe t`i bashkangjiten kolonës për të shkuar në Shqipëri.

Mirëpo kur arrijnë në fshatin Zallq janë ndaluar nga forcat serbe të cilët kanë qenë të uniformuar me uniforma kamoflazhë me shirita të kuq në dorë, në mesin e tyre ishte edhe komandanti i Stacionit Policor të Gurrakocit Millosh Stojkviq, Ekrem Bajroviq, Moma Salutiq si dhe polici serb me nofkën ”Banjaci”.

Tutje, në aktakuzë thuhet i kishin ndarë meshkujt nga familjet e tyre dhe pas ndarjes i kishin futur në një shitore të Shalajve, ndërsa familjet e tyre i kanë urdhëruar që të vazhdojnë këmbë në drejtim të Klinës, ashtu që në këtë vend i kanë mbajtur deri në ora 17:00 të mbrëmjes, ndërsa më vonë me një kamion të madh i kanë dërguar në Burgun e Gurrakocit rreth 100 të burgosur, trajtimi i të cilëve kishte qenë mizor duke i rrahuar deri në alivanosje.

Gjithënjë sipas aktakuzës në burgun e Gurrakocit, të dëmtuarit u morën në pyetje nga dy policë serb në rroba civile, në mesin e të cilëve ishte edhe i pandehuri Momir Pantiq.

Sipas dispozitivit të trembëdhjetë, më datë 19.05.1999, fshatin Dubravë, Komuna e Istogut, saktësisht në Burgun e Dubravës, pavijoni “C” i burgut të Dubravës ishte bombarduar nga forcat e NATO-s, ku si pasojë kanë mbetur të vrarë 3 të burgosur të nacionalitetit shqiptar.

Menjëherë forcat policore serbe të cilat ishin nën komandën e të pandehurit Pantiq si Kryeshef i Stacionit Policor, kishin shkuar në burgun e Duburavës, për të marr kontrollin e situatës, ku për shkak të sulmit, gardianët e burgut në fjalë kishin qëndruar jashtë mureve të burgut, kurse nga situata e krijuar, nga detonimi disa nga dyert e dhomave të burgut janë hapur, ndërsa të tjerat i kanë hapur të burgosurit me çka kanë mundur dhe kanë qëndruar në oborr të burgut.

Tutje thuhet se pasi kanë pushuar bombardimet forcat serbe në përbërje të gardianëve dhe njësive speciale të ardhura nga Stacioni Policor nëIstog, kanë hyrë në dhomat e të burgosurve dhe kanë ushtruar dhunë sistematike, në atë mënyrë që i akuzuari Gavrilo Milosavleviq kishte shkuar bashkë me pjesëtarë tjerë të stafit të punësuar në burgun e Dubravës, me ç‘rast i kanë rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, si dhe i kanë ofenduar dhe maltretuar fizikisht dhe psiqikisht të burgosurit shqiptarë, pa ndonjë arsye, vetëm për faktin se ishin shqiptarë.

Në aktakuzë, thuhet se bombardimet e NATO-s kanë vazhduar edhe më datë 21.05.1999, ku janë goditur pavijonet dhe objektet e tjera përcjellëse të burgut, përveç sallës së sporteve, me ç‘rast kanë mbetur të vrarë 18 të burgosur shqiptarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Tutje, në mëngjesin e datës 22.05.1999, gardianët, të burgosurit serbë të armatosur bashkë me forcat policore dhe Njësitë Speciale të cilët gjendeshin nën komandën e Stacionit Policor në Istog, fillimisht i kanë mbledhur të burgosurit shqiptarë në fushën e sportit, i kanë rreshtuar në drejtim të murit me arsyetimin e numërimit dhe transferimit në një vend më të sigurt.

Menjëherë, pas rreshtimit dhe ndarjes në grupe, të burgosurit kanë parë se në anën e majtë dhe të djathtë të karaullës, kanë dalur gardianë dhe pjesëtarë serb civilë të uniformuar dhe të armatosur nga karaulla dhe nga muret e burgut kanë filluar të shtinë me armë zjarri të llojeve të ndryshme nga të gjitha anët e burgut në drejtim të tyre, kurse nga mbrapa murit të burgut kanë gjuajtur me bomba në drejtim të burgosurve shqiptarë, ku disa nga të burgosurit e rreshtuar kanë arritur të shpëtojnë duke u rrëzuar për tokë.

Me të filluar gjuajtjet, e pastaj të ikin dhe të fshihen nëpër objekte brenda dhe jashtë burgut kurse disa prej tyre janë fshehur nëpër puseta, mirëpo gardianët, stafi i burgut së bashku me forcat paramilitare dhe policë kanë filluar ndjekjen dhe vrasjen e tyre duke iu hedhur granata dore brenda pusetave, ku shumë kanë mbetur të vrarë, e disa të lënduar.

Tutje, në këtë dispozitiv thuhet se një numër i të burgosurve kanë arritur që të ikin duke u rrokullisur deri afër një pjese, e cila ishte më e ulët se fusha e sportit, ku kanë arritur të mbroheshin nga gjuajtjet e armëve, disa pas një grumbulli dheu, e nga aty janë strehuar në bodrumin e kuzhinës, disa zhagas kanë ikur deri te bregu e disa janë strehuar nëpër objektet e burgut sepse edhe nga karaullat tjera kanë vazhduar gjuajtjet me snajper, ashtu që të burgosurit e mbijetuar kanë filluar t’i tërheqin të plagosurit për t’ju dhënë ndihmë mjekësore, mirëpo gardianët dhe pjesëtarët serbë kohë pas kohe nga karaulla vazhdonin të vëzhgonin dhe gjuanin me snajper, prej nga edhe kishin vrarë edhe të burgosur të tjerë.

Tutje, më datë 24.05.1999, i pandehuri Pantiq i udhëheq policët e Stacionit Policor në Istog dhe nën komandën e tij bëhet largimi i të plagosurve dhe të burgosurve nga burgu i Dubravë.

Sipas dispozitivit të katërmbëdhjetë të kësaj aktakuze, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, e kidnapuan viktimën me pseudonimin ‘’A1’’, një civil i nacionalitet shqiptar, i gjinisë mashkullore dhe e dërguan në burgun e Gjurakocit.

I njëjti fillimisht ishte marrë në pyetje nga disa zyrtarë të këtij stacioni me rroba civile dhe gjatë qëndrimit disa ditorë në burg, ishte marrë nga disa pjesëtarë të policisë dhe ishte dërguar në një vend të posaçëm të objektit të burgut, ku ishte dhunuar seksualisht.

Sipas dispozitivit të pesëmbëdhjetë të kësaj aktakuze, forcat policore serbe të Stacionit Policor në Istog, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq, viktima me pseudonimin ‘’B1’’ ishte ftuar nga policia që të paraqitej në Stacionin Policor në Istog për t`u marrë në pyetje.

Tutje, kur kishte arritur ajo fillimisht ishte marrë në pyetje, pastaj ishte rrahuar fizikisht e më pastaj ishte dhunuar seksualisht nga një polic i këtij stacioni, në prezencën e 5 policëve të tjerë.

Sipas dispozitivit të gjashtëmbëdhjetë të aktakuzës, policët e stacionit Policore në Istog së bashku me pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe dhe të RFJ-së, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq kanë marrë pjesë në dëbimin, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të nacionalitet shqiptar.

Fillimisht thuhet se i kanë dëbuar me dhunë popullsinë civile nga shtëpitë e tyre duke shkuar shtëpi për shtëpi, me ç‘rast i kanë larguar qindra mijëra banorë nga shtëpitë e tyre në të gjitha fshatrat e Komunës së Istogut, kurse pas largimit të popullsisë, fillimisht e kanë plaçkitur pasurinë e civilëve dhe pastaj i kanë vënë flakën secilës shtëpi në secilin fshat të Komunës së Istogut, duke e shkatërruar në tërësi pasurinë e popullsisë civile, rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, 260 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima janë fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale.

Me këtë, i pandehuri Momir Pantiq akuzohet se në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje ‘’ LP i RSFJ-së ’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht e inkriminuar si Krim kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Zharko Zariq dhe Momir Pantiç akuzohen se gjatë viteve 1998 – 1999, në Komunën e Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore serbe, vepruan në shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas aktakuzës i pandehuri Zharko Zariq në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Istog dhe si ekzekutues i urdhërave, ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masive dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.

Gjithnjë sipas aktakzës, policët e stacionit Policor në Istog së bashku me pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake Serbe dhe të RFJ-së, nën udhëheqjen e të pandehurit Pantiq dhe me pjesëmarrjen e të pandehurit Zariq, kanë marr pjesë në dëbimin, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të nacionalitet shqiptar, në atë mënyrë që, fillimisht i kanë dëbuar me dhunë popullsinë civile nga shtëpitë e tyre.

Tutje, thuhet se duke shkuar shtëpi për shtëpi, i kanë larguar qindra mija banorë nga shtëpitë e tyre në të gjitha fshatrat e Komunës së Istogut, kurse pas largimit të popullsisë, fillimisht e kanë plaçkitur pasurinë e civilëve dhe pastaj i kanë vënë flakën secilës shtëpi në secilin fshat të Komunës së Istogut duke e shkatërruar në tërësi pasurinë e popullsisë civile.

Me çka rreth 5 mijë shtëpi janë djegur, 260 persona janë vrarë prej tyre 19 viktima janë fëmijë dhe shumë dëme tjera materiale.

Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri Zharko Zariq në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, të Ligjit Penal të ish Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje ‘’ LP i RSFJ-së ’’) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht e inkriminuar si “Krim kundër njerëzimit”.

Shënim:

“Ky artikull është mundësuar përmes mbështetjes së YIHR KS, si partner implementues i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e plotë e Internews Kosova dhe nuk reflekton pikëpamjet e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID, Qeverisë së Shteteve të Bashkuara ose Nismës së të Rinjve për Të Drejta të Njeriut (YIHR KS)”.