Dosja e Prokurorisë ndaj ish përmbarueses e cila akuzohet se ka konfiskuar traktorin e personit të gabuar

Gjykata e Prizrenit të martën ka refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës ndaj ish-përmbarueses Saranda Kuçi, e cila akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kuçi po akuzohet se në kundërshtim me ligjin ka konfiskuar traktorin duke mos qenë pronë e të dëmtuarit, por pronë e një personi të ndjerë.
Avokati Sylë Hoxha, mbrojtës i të akuzaurës në shqyrtimin e dytë më datë 26 gusht 2022 ka parashtruar kërkesën për hedhje të akuzës. I njëjti deklaroi se qëndron në tërësi pranë kësaj kërkese.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i prokurorisë, Metush Biraj konsideroi se pretendimet e mbrojtësit nuk qëndrojnë. Sipas prokurorisë, në bazë të provave ekziston dyshimi i bazuar se e akuzaura ka kryer veprën penale.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Muhamet Shalaj mbështeti fjalën e prokurorit dhe kërkoi që të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor.

Pas kësaj gjykata mori vendim që të refuzohet kërkesa e mbrojtësit Sylë Hoxha për hedhje të akuzës.
Shqyrtimi i radhës u caktua për më 2 dhe 3 nëntor 2022.

Sipas aktakuzës, e pandehura Saranda Kuçi si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj dobi për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktoj dëm personit tjetër.

Në akuzë thuhet se me datë 22 dhjetor 2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh. G., nga fshati Studenqan – Komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke pronë e tani të ndjerit H. B., nga fshati Reshtan – Komuna e Suharekës.

Prokuroria thhotë se traktorin e konfiksuar e ka dërguar në pllacin ndërtimor të kreditorit B. G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës.

Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.