Dosja e Prokurorisë: Kundër zgjedhjeve, thirrnin për ‘ligjet e All-llahut’

Prokuroria e Gjakovës përmes një komunikate ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për dy vepra penale.

Në këtë rast të dyshuarit janë M.A., H.A., dhe V.D., për veprat penale  “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe “parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.

Personit me inicialet M.A., i dyshuar për armëmbajtje pa leje, i është gjetur dhe konfiskuar një armë.

“I pandehuri M.A., më parë e deri më 06.10.2019, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, ka poseduar armë dhe municion, pikërisht një revole të markës Ekol Special 99 kalibër 9 mm dhe një karikator të zbrazët. Arma dhe municioni i janë gjetur në shtëpinë e tij, ku edhe janë sekuestruar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndërsa personat H.A. dhe V.D. dyshohet të kenë ndikuar në ushtrimin e të drejtës së votimit.

“Të pandehurit H.A., dhe V.D., më 05.10.2019, rreth orës 22:00, në Gjakovë, në bashkëkryerje e në mënyrë të kundërligjshme, parandalojnë, pengojnë, duke ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesve në zgjedhjet nacionale të vitit 2019. Ata kanë vepruar sipas marrëveshjes paraprake, duke i shumëzuar një numër të konsiderueshëm të afisheve, ku bëjnë thirrje votuesve për mos pjesëmarrje në votime, me mbishkrimin “Kujdes votimi për ligjet e nxjerra nga njeriu është SHIRK, ti bësh ortak All-llahut”, më pastaj i kanë shpërndarë ato në vende të ndryshme publike në Komunën e Gjakovës”, thuhet në njoftim.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës së Gjakovës, që të njëjtit të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat u vihen në barrë.