Muhamer Raifi para Gjykatës në Gjakovë

Dosja e Prokurorisë: Kristë Gjokaj dhe 5 policë akuzohen për keqtrajtimin e të dyshuarit brenda stacionit

“Nuk po muj me nejt në këmbë”. Këto kishin qenë fjalët e vetme të dyshuarit për grabitje dhe sulm ndaj policëve në Gjakovë, Muhamer Raifi në natën e 14 nëntorit 2018-të.

Kjo kishtë bërë që të nisej një hetim ndaj zyrtarëve të policisë së Gjakovës nën dyshimet se e kanë keqtrajtuar të dyshuarin Muhamer Raifi.

Kristë Gjokaj, komandant i stacionit policor të Gjakovës bashkë me pesë zyrtarë të tjerë policorë, pritet të ulen në bankën e të akuzuarve për t`u përballur me aktakuzën e prokurorisë për keqtrajtimin e Muhamer Raifit.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë së Gjilanit e cila përshkruan veprimet e të akuzuarve në natën e 14 nëntorit të vitit 2018-të.

Kristë Gjokaj bashkë me Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj  nga Prokuroria e Gjilanit po akuzohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ndërsa Shaban Limanaj, po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza e prokurorit Shaban Spahiu, e ngritur me 26 nëntor 2019, tregon në detaje veprimet e tyre ndaj të dyshuarit për grabitje Muhamer Raifi, në nëntor të vitit të kaluar.

Sipas aktakuzës komandanti Kristë Gjokaj, dyshohet se derisa i dyshuari për grabitje dhe sulm ndaj Policisë, Muhamer Raifi, kishte qenë i arrestuar dhe i prangosur, Gjokaj e kishte goditur me grusht në fytyrë.

Aktakuza shpjegon se zyrtarët policor Bekim Preqi, Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi e Milot Ukaj, në bashkëkryerje kishin keqtrajtuar të arrestuarin Muhamer Raifi.

Prokuroria e Gjilanit dyshon se polici Milot Ukaj fillimisht ia kishte lëshuar në sy dritën e baterisë Muhamer Raifit, e pastaj kishte filluar ta godasë me duar e këmbë, e kishte kap për fyti, të cilat veprime i kishte përsëritur disa herë radhazi derisa polici Ibër Elezaj kishte ndërhyrë duke e larguar të dëmtuarin Raifi.

Në aktakuzë thuhet se këto veprime kishin ndodhur pas mesnatës, sw 14 nëntorit 2018-tw, përkatësisht duke filluar nga ora 02:08 minuta, e deri në orën 04:24 minuta.

Aktakuza thekson se pas disa minutash polici tjetër Bekim Preqi bashkë me Milot Ukajn, e godasin me grushte të dëmtuarin, e Bekim Preqi e godet edhe me këmbë në trup.

Siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë brenda të së njëjtës orë i dëmtuari Muhamer Raifi, sërish sulmohet me grushte e shqelma në trup, nga policët Gëzim Biblekaj, Agron Idrizi dhe Milot Ukaj, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore, për të cilat lëndime i njëjti më vonë është dërguar për marrjen e ndihmës mjekësore.

Aktakuza e Prokurorisë së Gjilanit, nuk e përjashton nga përgjegjësia as përgjegjësin për qendrën e ndalimit policor në Gjakovë, zyrtarin Shaban Limanaj.

Shaban Limanaj po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi që si përgjegjës i qendrës iu kishte mundësuar policëve të lartcekur të hyjnë në qelinë ku ndodhej Muhamer Raifi dhe të njëjtin ta keqtrajtojnë fizikisht.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast, ku u përfshinë zyrtarët policor të Gjakovës, përfshirë edhe komandantin e stacionit Kristë Gjokaj.

“Nuk po muj me nejt në këmbë”. Kështu kishte deklaruar i dyshuari Muhamer Raifi kur ishte sjellë para Gjykatës së Gjakovës në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.

I njëjti ishte arrestuar nga Policia në Gjakovë, gjatë një tentimi për të kryer grabitje bashkë edhe me disa persona tjerë të dyshuar, të cilët policia nuk kishte mund t`i arrestonte.

Gjatë tentimit për t`i kapur të dyshuarit Policia kishte hasur në rezistencë nga grupi i dyshuar.

Sulmi ndaj policisë në Gjakovë, i dyshuari nuk mund të qëndrojë në këmbë në Gjykatë – FOTO

 

Pas 10 muajsh nga kjo ngjarje, Inspektorati i Policisë së Kosovës kishte suspenduar gjashtë zyrtarë të Policisë në Gjakovë.

 

Për kthimin në detyrë të Kristë Gjokajt dhe zyrtarëve të tjerë, qytetarët në Gjakovë kishin mbajtur edhe protestë.

 

Ngjarja për të cilën dyshohet se ishin suspenduar e më pas ishin kthyer në detyrë zyrtarët e Policisë, ka ndodhur në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Gjakovë, ku policët duke tentuar të parandalojnë ikjen e personave të dyshuar kishin marrë lëndime të lehta trupore. Në këtë rast, grabitësit kishin shkrepur edhe armët në drejtim të policisë.

 

Në këtë përleshje mes policëve dhe të dyshuarve për grabitje, policia kishte arritur ta arrestojë vetëm njërin prej tyre, ndërsa tre të tjerët ishin arratisur.

 

I arrestuari Muhamer Arifi, ishte sjellë në gjykatë në prani të mbrojtësit të tij avokatit Gani Hoxha dhe nuk ishte deklaruar para gjykatës së Gjakovës.

 

Suspendimet në Gjakovë: Kamerat e Policisë filmuan dhunën mbi të dyshuarin në stacion

www.KALLXO.com