Dosja e Prokurorisë: Kosovarja i përgatiste ushqim dhe i lante rrobat ISIS-it

Prokuroria Speciale  ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës në Prishtinë kundër të pandehurës me inicialet J.L. për shkak të veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale, e pandehura J.L. më 12.09.2014, me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri, përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, së bashku me nënën e saj F.L, motrën L.L dhe E.K., kanë udhëtuar për në Stamboll ku edhe janë takuar me babanë e saj N.L. i cili ka udhëtuar nga Aeroporti i Shkupit e më pastaj me aeroplan kanë shkuar në qytetin Gazientep afër kufirit me Sirinë ku përmes pjesëtarëve të ISIS-it, janë kontaktuar me vëllain e saj B.L., të cilët i kanë transportuar fillimisht në qytetin Gjerablus, pastaj në qytetin Sedel Faruk.

Sipas Prokurorisë Speciale, e akuzuara po ashtu është angazhuar në pikëpamje logjistike me përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake si dhe është financuar nga ISIS-i me shumën e të hollave prej nga 50-100 dollarë në muaj dhe se në këto zona të konfliktit kanë kontaktuar edhe me L.M., Q.T., R.Q., A.A.

Në komunikatë bëhet e ditur po ashtu, se e pandehura ka poseduar edhe një pushkë automatike të bashkëshortit të saj e që në këto zona të konfliktit ka vepruar deri në muajin gusht të vitit 2018, ku edhe është arrestuar nga forcat demokratike Siriane, e që më 19.04.2020 e njëjta është riatdhesuar në Kosovë.

Sipas PSRK-së, me këto veprime e pandehura J.L., ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.