Dosja e Prokurorisë: Ish-zyrtarët e Kadastrit të Prishtinës regjistruan prona me aktgjykim të falsifikuar

Ish-drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Shiqeri Spahiu, dhe ish-shefi i Kadastrit Ramush Thaçi, janë ulur në bankën e të akuzuarve. Ata akuzohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm ndërmarrjes shoqërore KBI “Kosova-Export” dhe të përfitojnë për vete.

Të njëjtit sipas dosjes së Prokurorisë kanë bërë bartjen e pronësisë së një parcele duke u bazuar në një aktgjykim të falsifikuar, ani pse kanë qenë të informuar se ishte i tillë.

Aktakuza sqaron se, gjatë periudhës së viteve 2008-2010, të pandehurit jashtë autorizimeve të tyre kanë bartur pronësinë e një parcele në fshatin Uglarë në Prishtinë, duke u bazuar në dokument të rrejshëm, përkatësisht një aktgjykim të falsifikuar, me të cilin pa bazë juridike i’u kishte njohur e drejta e pronësisë së kësaj prone personit Marko Mitroviq, për t’iu bartur pastaj personave të tretë.

Sipas prokurorit Shkëlzen Ibrahimi, vetë Mitroviq kishte dërguar kërkesë në Kadastër ku ka sqaruar se as ai e as familjarët e tij nuk kanë lidhje me atë pronë, andaj dhe kishte kërkuar që e njëjta të mos figurojë si pronë e tij, mirëpo një kërkesë e tillë tashmë nuk gjendet askund në shkresat e lëndës.

Në bazë të propozimit të Prokurorisë u dëgjuan 4 dëshmitarët lidhur me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare nga ish zyrtarët e Kadastrit në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Fillimisht u dëgjua dëshmitarja Valdete Mehmeti, ish-asistente administrative në Drejtorinë e Kadastrit. Ishte kjo ajo e cila kishte pranuar njoftimin e Gjykatës me të cilin e njofton Kadastrin se aktgjykimi c.nr.395/96 I datës 10.11.1997 i përgjigjet kopjes se aktgjykimit, ndërsa aktgjykimi tjeter nuk ka të bejë me aktgjykimin original, pra është i falsifikuar. Gjë që është vërtetuar përmes një shkrese – fletëdërgese për dorëzim personal, të cilën e ka nënshkruar dëshmitarja. Por që u deklarua se nuk mohon faktin të ketë pranuar zarfin, mirëpo me përmbajtjen e tij nuk ishte e njoftuar për shkak se zarfi ishte i mbyllur.

Më pas u dëgjua dëshmitari Sabedin Haxhiu, ish-drejtor i Drejtorisë së Kadastrit dhe Gjeodezisë. I cili lidhur me lëndën e ngastres kadastrale ku si palë janë ‘KBI Kosova Eksport’ dhe Marko Mitroviq, theksoi se “zyrtarët policor të Krimeve Ekonomike kanë ardhë të hulumtojnë rastin e kësaj toke, e më pas është lëshu një masë e përkohshme nuk më kujtohet nga kush”.

I njëjti nuk e mohoi faktin se është bërë ndërrimi i pronarit përmes atij aktgjykimi, dhe theksoi që kjo bartje është bërë para se të vendoset masa e përkohshme.

Lidhur me “zhdukjen” e shkresave të lëndës të këtij rasti, dëshmitari deklaroi se “pasi kjo lëndë është bërë më aktuale, të gjitha shkresat e lëndës dhe komunikimin me institucionet e kam bërë vet.

“Ajo dosje në origjinal ka mbetë në zyrën time kur e kam përfunduar punën në vitin 2009, të njëjtën komplet e kam dorëzuar tek punëtori i ri pas meje. Nuk më kujtohet a ka qenë Sherif Krasniqi apo i akuzuari Ramush Thaqi”, tha ish drejtori Haxhiu.

Dëshmitari Ismet Mziu, përkatësisht operator në regjistrin e  të drejtave të pronave të palujatshme në Komunën e Prishtinës, theksoi se “Ky rast me kujtohet që në vitin 2004 është regjistru në kadastër në emër të Marko Mitroviq, është regjistru me një aktgjykim që numri nuk më kujtohet, dhe sa më kujtohet mua pas një jave palët kanë shfytëzuar rastin dhe kanë marrë fletën poseduese e kanë shkuar në gjykatë ku dhe kanë bërë kontrata për bartje të pronësisë prej Marko Mitroviqit në persona të tretë“.

Tutje sipas tij, të njëjtit kanë vërtetuar kontratat, mirëpo nuk i kujtohet se a i kanë dërguar në kadaster. Mziu potencoi se “Më kujtohet ja kemi bërë një shenjë që mos të regjistrohet, kur ka ardhë ndalesa zyrtarisht që ndalohet shitja e kësaj prone, drejtori na ka njoftuar që të mos merret asnjë veprim për shkak të masës së vendosur. Ato kontratat e vitit 2004, janë regjistru në aparatin kadastral në vitin 2012. Dhe sot ende në aparatin kadastral këto prona janë në emër të këtyre blerësve”.

Në pyetjen e gjyqtarit Beqir Kalludra lidhur me atë se a i kujtohet se a ka qenë shitës Marko Mitroviqi?

Dëshmitari u përgjigj së pronar ka qenë i njëti, mirëpo se a ka qenë shitës nuk ka informata. Perveq regjistrimit të ndalesës me nuk është marrë më me këtë lëndë.

Për seancën e rradhës në bazë të propozimit të prokurorit do të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit Sherif Krasniqi.

Seanca e radhës me 6 prill, në ora 13:10.