Dosja e Prokurorisë - Inspektorët e ATK-së i njoftonin bizneset ilegale të bixhozit si t`u iknin kontollave

Ish-inspektorët tatimor Selatin Hoxha, Ramadan Ibishi si dhe biri i tij Fisnik Ibishi janë ballafaquar para gjykatës së Prishtinës me akuzat e prokurorisë së kanë ndihmuar bizneset e paligjshme të bixhozit.

Krahas tyre si të akuzuar në këtë rast janë edhe Skender Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe Burim Ismajli për organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Gjatë seancës së sotme të gjithë u deklaruan të pafajshëm për veprat që po u vihen në barrë nga Prokuroria.

Mbrojtësi i të akuzuarit Selatin Hoxha, Avokati Avni Gjakova pati disa pyetje për prokurorinë lidhur me aktakuzën.

Pyetjet e tij kishin të bënin lidhur me përfitimin material i cili është i përmendur në aktakuzë.

“Nuk e kam të qartë se çfarë përfitimi material? Sa është ai përfitim? Kur është fituar dhe prej kujt?”, pyeti Avni Gjakova.

Selatin Hoxha, i cili në atë kohë punonte si inspektor i lartë i Administratës Tatimore të Kosovës, në Drejtorinë e lojërave të fatit, nga Prokuroria po akuzohet se me qëllim të përfitimit material u ka vënë në dispozicion Driton Haxhisë, Arian Kastratit dhe menaxherëve të tjerë të lojërave të fatit, informatat që janë në fshehtësi zyrtare. I njëjti sipas dosjes së Prokurorisë kishte njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektimin e lokaleve, duke ju mundësuar atyre që t`u ikin kontrolleve, kjo kur ka qenë mundësia që ata të ndëshkohen për veprimtaritë e kundërligjshme të tyre.

Se zbuloi fshehtësinë zyrtare Prokuroria po e akuzon edhe inspektorin tjetër të ATK-së në Drejtorinë e lojërave të fatit, Ramadan Ibishin.

Sipas prokurorisë, i njëjti ka njoftuar menaxherët e lojërave të fatit për aksionet e ATK-së, kur do të dalin në aksion vetëm, e kur me Policinë dhe Doganën e Kosovës, duke i udhëzuar që të i mbyllnin lokalet me qëllim që t`u iknin ndëshkimeve.

Sipas Prokurorisë, Inspektori Ramadan Ibishi i ka ndihmuar edhe i biri i tij Fisnik Ibishi në zbulimin e fshehtësisë zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Ramadan Ibishi deri sa ka qenë në orar të punës ja ka përcjellë informatat zyrtare se kur do të kryhen kontrollet nga inspektorët e ATK-së, birit të tij, Fisnik Ibishit.

Kështu i akuzuari, Fisnik Ibishi i ka njoftuar menaxherët e bizneseve të lojërave të fatit për vendin e kontrolleve.

Ai këtë e bënte duke përdorur fjalët: “Jam në qytetin e Gjakovës, jam në qytetin e Gjilanit etj. A ke kohë për kafe?”. Kështu i akuzuari i ka njoftuar se në cilat qytete ka dalur kontrolla.

 

Skender Fetaj, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija akuzohen se që nga shkurti i 2015 deri në dhjetor të vitit 2016 kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit.

Skender Fetaj edhe pse kishte licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën e në menagjimin e së cilës vepronin edhe Arian Kastrati e Driton Haxhija, me qëllim kanë organizuar lojëra të fatit në kundërshtim me ligjin.

Sipas Prokurorisë këtë e kanë bërë duke siguruar numra serik të dublifikuar-falsifikuar të Ruletëve dhe të aparateve të automateve. Këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme ku edhe kanë krijuar përfitime të kundërligjshme pasi kanë qenë pa licencë. Të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumë prej 253,680.00 euro.

Ndërsa Ramadan Latifin, Arian Kastratin, Driton Haxhijën dhe Burim Ismailin Prokuroria i akuzon se në fillim të vitit 2016 deri në dhjetor të vitit 2016 në vende të ndryshme në Kosovë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kanë organizuar lojëra të fatit të cilat janë të ndaluara me ligjin për lojëra të fatit dhe në njësitë e bastores sportive “Planet Win 365”, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes vete kanë blerë programin për lojëra “KENO” dhe “Lojëra me QEN” dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende që ka më pak kontroll si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Të pandehurit poashtu kanë zhvilluar aktivitete në Bastoret sportive në pika të pa liçencuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.

Me rastin e kontrollit të këtij biznesi janë gjetur gjashtëmbëdhjetë njësi të pa licencuara. Buxhetit të Kosovës i janë shkaktuar dëm prej 93,400.00 euro.

Të pandehurit Ramadan Latifi sipas aktakuzës në shtëpinë e tij në Gjilan pas kontrollit nga ana e Policisë i janë gjetur një revole e markës “Herma Werk”, një armë gjuetie e markës “Winchester” dhe 435 copë fishek të armës së gjuetisë dhe revoles.