Dosja e Prokurorisë - I dyshuari e kishte përcjellur prokurorin Skoro para se ta sulmonte
Me datë 30 Tetor, Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se Prokurori Atnor Skoro në Prizren, është sulmuar derisa po kthehej në objektin e Prokurorisë.
Pas seancës gjyqësore, sulmohet prokurori i Prizrenit
Gjykata e Prizrenit të dyshuarit B. Rr. ia ka caktuar masën e paraburgimit, sepse i njëjti po dyshohet se sulmoi personin zyrtar dhe kanosi zyrtarët Policor gjatë kohës kur po e arrestonin.
Sipas njoftimi të Gjykatës për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit, thuhet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 në rrugën ‘Remzi Ademaj’, në afërsi të objektit të Prokurorisë së Shtetit.
Ndaj të dyshuarit B. Rr. më parë ishte zhvilluar një procedurë penale, kur i dëmtuari – prokurori Atnor Skoro kishte përfaqësuar lëndën para gjykatës, dhe që nga ajo kohë i dyshuari për sulmin ndaj prokurorit kishte përcjellur prokurorin Skoro duke menduar se lënda ishte e prokurorit në fjalë.
Kur prokurori Atnor Skoro po kthehej nga pauza për në punë, i dyshuari B. Rr. e ka shfrytëzuar momentin e volitshëm dhe me grushte e godet në anën e majtë të kokës prokurorin.
Ditën e nesërme të datës 31 rreth orës 15:00 i dyshuari B. Rr. dyshohet se i ka kanosur tre zyrtarët Policor me rastin e arrestimit.
I dyshuari B. Rr. do të qëndrojë në paraburgim në kohëzgjatje prej 30 ditësh, deri në një vendim tjetër të gjykatës.