Dosja e Prokurorisë - I akuzuari për prostitucion i gjente klient viktimës dhe paratë i merrte vet

Bekim Qeli, i akuzuar për prostitucion, shërbime seksuale me pagesë, nuk e ka pranuar fajësinë në Gjykatën e Ferizajt.

Ai para gjykatësit të rastit Ilir Bytyqi nuk e pranoi fajësinë për veprën të cilën po e akuzon Prokuroria. I njëjti tha se në shqyrtimin e radhës do të angazhojë avokat sepse nuk e ndien veten fajtor.

Prezenca e tij sot në gjykatë u sigurua me urdhëresë nga policia pasi i njëjti nuk i ishte përgjigjur ftesës.

Sipas aktakuzës të cilën e përfaqëson prokurorja Luljeta Bilalli, Qeli akuzohet se në muajin dhjetor 2017 në afërsi të Ferizajt me qëllim të ushtrimit të prostitucionit së bashku me të pandehurit V. K., ka organizuar, ndihmuar dhe kontrolluar të dëmtuarën, duke i siguruar klientë që të kryej marrëdhënie seksuale në këmbim të parave.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari viktimës e kishte gjetur një klient i cili jetonte dhe punonte në shtetin e Suedisë, dhe atë dy herë radhazi, ku pas marrëveshjes me të pandehurin, i njëjti së bashku me të dëmtuarën shkojnë në një motel në afërsi të Ferizajt.

Në dosje të Prokurorisë theksohet se pas shfrytëzimit të shërbimeve seksuale klienti e paguan të njëjtën një herë 40 euro dhe herën tjetër 30 euro, të cilat para më pas i merr tashmë i akuzuari Bekim Qeli.

Gjykatësi i rastit Ilir Bytyqi të pandehurin e udhëzoi që në seancën e radhës ka të drejtë të angazhojë avokat, si dhe do të ftohen palët me ftesa të rregullta.