Dosja e Prokurorisë: I akuzuari i shkeli me kamion dy polic

 

Dy prej katër të akuzuarëve që i shkelën me kamion zyrtarët policorë gjatë tentimit të tyre për të kryer kontrabandë me mallra nuk janë paraqitur në gjykatë për t`u ballafaquar me akuzat e prokurorisë.

Gëzim Zekaj, Burim Shabani, Muharrem Haliti dhe Besim Zeqiri, akuzohen nga Prokuroria se me 19.5.2016 rreth orës 02:41, në fshatin Breznicë, Komuna e Obiliqit duke transportuar mall të kontrabanduar nuk ishin ndalur në pikë kontrollin policor.

Ata akuzohen se gjatë një rasti të kontrabandës tentuan t`i shtypnin me makinë dy polic.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i akuzuari Burim Shabani pasi e ka parë që nuk mund t’i shmangej ndjekjes policore, me dashje tenton t`i privojë nga jeta policët Rrahim Zabërgja dhe Shkodran Beqiri. Aktakuza sqaron se i akuzuari Shabani ka zbritur nga kamioni i tij, i njëjti ka lëvizur prapa merr shpejtësinë dhe godet veturën e policëve, me ç’rast lëndime të rënda trupore pësojnë policët Rrahim Zabërgja dhe Shkodran Beqiri.

Burim Shabani po ashtu akuzohet nga Prokuroria se ka kryer edhe veprën penale kontrabandë me mallra, pasi që më 19.5.2016, pas mesnate, iu ka shmangur kontrollit doganor me kamion i cili ishte vënë në dispozicion nga i akuzuari Besim Zeqiri dhe kalon vijën kufitare duke bartur mbi 20,000 litra naftë për eksportim, i ndihmuar nga të akuzuarit Gëzim Zekaj dhe Besim Zeqiri të cili ishin në përcjellje me veturën e tyre, duke u siguruar që malli i kontrabanduar të shkojë në destinacion.

Sipas Prokurorisë i akuzuari tjetër, Besim Zeqiri, në bashkëkryerje me Muharrem Halitin, ka falsifikuar dokumentin zyrtar, ashtu që kamionit të tij, i cili nuk ishte i regjistruar në Kosovë ia ka hequr tabelat origjinale dhe ja kishte vendosur tabelat e një veture tjetër, të cilat i kishte siguruar nga Muharrem Haliti, i cili i kishte marrë nga një automjet tjetër i tipit Pasat.

Seanca e sotme e ka dështuar të mbahet në mungesë të dy prej katër të akuzuarëve. Lidhur me këtë çështje penale, kishin dështuar të mbahen edhe gjykimet e datës 11 shtator 2019 dhe 2 tetor 2019.

Shkak për dështimin e gjykimit ishte mungesa e të akuzuarve Burim Shabani dhe Muharrem Haliti.

Ndaj të akuzuarit Burim Shabani, gjykatësja Naime Krasniqi Jashanica bëri të ditur se kishte lëshuar urdhëresë për verifikim adrese përgjatë seancave të kaluara dhe sipas njoftimit zyrtar të pranuar nga Stacioni Policor në Mitrovicë, rezultoi se i njëjti ndodhej në Suedi.

Për të akuzuarin Muharrem Haliti, i cili nuk kishte prezantuar në seancë, gjykatësja njoftoi se ai ishte ftuar përmes kopjes së procesverbalit në mënyrë të rregullt por që i njëjti mungesën nuk e kishte arsyetuar.

Si rrjedhojë, seanca e radhës pritet të mbahet më 13.01.2020 në ora 14:00.