Dosja e Prokurorisë: I akuzuari gjuajti në drejtim të turmës me sëpatë kuzhine

Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Gjilanit sot janë ulur Gazmend Hajdini, Gzim Zymberi dhe Enes Kuq, të cilët po përballen me vepra penale si vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndihmë në vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Rasti për të cilin po gjykohen të akuzuarit ka ndodhur më 27 janar 2019 në parkingun e një restoranti në Gjilan.

Në këtë incident, sipas Prokurorisë, janë shkrepur armët, e madje njëri prej të akuzuarve ka gjuajtur me satër.

Në seancën e sotme janë shikuar incizimet e kamerave nga vendi i ngjarjes.

Gjatë shikimit pati kundërshti mes prokurorit Agron Uka dhe avokatit Afrim Salihu, i cili e mbron  të akuzuarin Enes Kuq.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Gazmend Hajdini kishte shkuar në veturën e të pandehurit tjetër Enes Kuq dhe aty kanë pasur një mosmarrëveshje dhe pasi del nga aty shtien me armë në drejtim të Enes Kuqit, me ç’rast ka kryer veprën penale – vrasje në tentativë.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Enes Kuq, ka dalë nga vetura dhe ka gjuajtur me satër (sëpatë kuzhine), në drejtim të një turme njerëzish, duke shkaktuar me këtë veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Gjithmonë sipas aktit akuzues, i akuzuari Kuq ka bartur armë në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria në këtë rast e ka akuzuar edhe Gzim Zymberin.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Zymberi ka ndihmuar të akuzuarin Gazmend Hajdini në vrasjen në tentativë, në atë mënyrë që i afrohet të akuzuarit Gazmend Hajdini dhe ia jep revolen, të cilën e kishte në pronësi pa leje dhe në kundërshtim me ligjin.

I akuzuari Gazmend Hajdini tha se  nuk e pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes në tentativë siç e akuzon Prokuroria.

“E kam pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje por jo edhe atë se kam provuar ta vras Enesin. Në veturën e Enesit e kam parë satrën, pasi që në veturë më kanë ftuar për t’u sqaruar lidhur me një çështje në mes meje dhe Enesit. Pasi kam hyrë në veturë të tij, ai ka provuar të më godas me grusht por jam larguar nga vetura, pastaj Enesi ka gjuajtur në mes të turmës me satër dha ka mundur të shkaktojë lëndime me të por dikush e ka ndalur atë (satrën) me këmbë”, tha i akuzuari Hajdini.

Tutje i akuzuari Gzim Zymberi tha se qëndron prapa deklaratave të cilat i ka dhënë në Prokurori dhe në Polici.

“Nuk kam pasë revole në mbrëmjen kritike, vetëm e kam parë Gazmendin duke e nxjerr revolen nga çanta. Kam tentu me ia marr revolen nga dora për të mos u shkaktuar ndonjë problem më i madh. Enesi na ka gjujtë me satër, e pas kësaj Gazmendi ka gjuajtur me revole në ajër”, tha i akuzuari i dytë Gzim Zymberi.

I akuzuari i fundit që u dëgjua ishte Enes Kuq, që sipas Prokurorisë ka gjuajtur në drejtim të turmës me sëpatë kuzhine.

Ai tha se e pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje por jo ashtu siç e akuzon Prokuroria se ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm dhe lëndim të rëndë trupor.

“Pasi është shkaktuar tollovi tek vendi i ngjarjes e di se dikush më ka goditur me diçka në pjesën e qafës. Kur e kam dëgjuar se ka shtënë dikush nga turma me revole unë e kam nxjerr nga vetura ime satrën dhe kam gjuajtur në drejtim të turmës me të. Në natën kur ka ndodhur problemi unë kam qenë i ndikuar nga përdorimi i alkoolit”, përfundoi i akuzuari Kuq.

Para fundit të seancës gjyqësore, kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, ia tërhoqi vërejtjen avokatit Vaxhid Idrizi duke i thënë se do ta lajmërojë Odën e Avokatëve nëse vazhdon ta pengojë rrjedhën e procedurës penale.

Seanca e sotme u shty për muajin janar, kur do të jepet fjala përfundimtare.