Dosja e Prokurorisë: I akuzuari e vret dhe e hedh nga ura trupin e të ndjerit

 

Kamber Buleshkaj është ballafaquar sot në Gjykatën e Pejës, me akuzën e Prokurorisë për vrasjen e Arben Dekajt.

Buleshkaj akuzohet se me 12 shtator të vitit 2018 me 8 predha e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Arben Dekaj, e pastaj te Lumi i Shushicës e kishte hedhur trupin e tij nga ura në lum.

Buleshkaj u deklarua i pafajshëm për këtë vepër penale.

“Nuk e ndiej veten fajtor”, tha i akuzuari.

Seanca e radhës mbahet me 30 janar 2020.

Prokuroria e Pejës pretendon se në shtator të vitit 2018 në Istog, i ndjeri me veturën e tij kishte shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Kamber Buleshkaj, duke kërkuar nga ky i fundit një armë të llojit kallashnikov, që këtë armë të ndjerit ja kishte kërkuar Abedin Hysenaj, që të festonin në një aheng familjar.

Sipas dosjes se Prokurorisë, pas një mosmarrëveshje i akuzuari Buleshkaj privon nga jeta Arben Dekajn, e pastaj te Lumi i Shushicës e hedh trupin e tij nga ura në lum.