Dosja e Prokurorisë - I akuzuari ditën që doli nga burgu u përfshi në një rast të vrasjes në tentativë

31 tetori i vitit 2018 nuk kishte qenë shumë me fat për të riun Arianit Pllana. Në po atë ditë ai ishte liruar nga qendra e paraburgimit, ku kishte qenë duke qëndruar për shkak të një vepre penale. Pikërisht me 31 tetor 2018 atë Arianit Pllana së bashku me Bleon Hysenin, Egzon Salihun dhe të miturin L. B., rreth orës 21:30 min. ishin përfshirë në një konflikt, fillimisht verbal, i cili kishte përfunduar me goditje me armë në këmbën e të dëmtuarit Emin Emini.

Kurse pas kësaj lidhur me këtë rast Pllana, Hyseni, Salihu së bashku me të miturin L. B., akuzohen nga Prokuroria e Mitrovciës, për kryerjen e veprës penale vrasje në tentativë.

Në aktin e Prokurorisë shpjegohet se Emin Emini ishte duke lëvizur në rrugë me automjetin e tij së bashku me shokun e tij, Dren Mehmeti.

Të lartcekurve ua kishte zënë rrugën i mituri L. B., duke i thënë të dëmtuarit Emini që të vazhdoj më tutje sepse aty kishte kamera dhe në momentin kur viktima ndalet me veturë, aty i afrohet i mituri L. B., ia hap derën viktimës duke i thënë që ai të dal nga vetura.

Mehmeti dhe Emini që kishin qenë në veturë kishin dal nga vetura, ndërsa kishte filluar një komunikim verbal mes këtij të fundit dhe të miturit L. B.

Në këtë situatë i pandehuri Bleon Hyseni, shprehet se “a t`i lom qety të dytë bir”, ndërkohë që Arianit Pllana iu kishte drejtuar Dren Mehmetit “Ik largohu se pe han edhe ti”, dhe në këtë situatë përderisa i mituri L. B. fillimisht e godet me grusht të dëmtuarin, poashtu në të njëjtën kohë e nxjerrë revolen e drejton në drejtim të të dëmtuarit dhe i dëmtuari me qëllim të mbrojtjes e kap me duar të miturin L. B.

Me këtë rast i mituri nga kjo revole shkrep një herë dhe e godet të dëmtuarin Emin Emini në këmbën e majtë. Në dosje të Prokurorisë sqarohet se dëmtuari rrëzohet në tokë, derisa tre të pandehurit tjerë edhe përkundër që i dëmtuari merr plagë në këmbë së bashku me të miturin L. B., vazhdojnë ta godasin në këmbë me grushte pjesëve të ndryshme të trupit ku të njëjtin e lënë të shtrirë për toke dhe largohen nga vendi i ngjajes.

Gjithnjë sipas aktakuzës i dëmtuari në pamundësi për t`u ngritur kërkon ndihmë dhe më pas i afrohet Armend Fejzullahu dhe ia lidh këmbën, ndërsa më pas kishte arritur autoambulanca dhe dërgohet në shtëpinë e shëndetit.

Më pas transferohet në qendrën emergjente në Prishtinë dhe rezulton se i njëjti kishte pësuar plagë nga arma e zjarrit në këmbën e majtë, thyerjen e shumëfishte të këmbës, që janë trajtuar si lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këtë të akuzuarit në bashkëkryerje me të miturin L. B. akuzohen kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

Në seancën e sotme mbrojtjen lidhur me këtë rast e ka dhënë i pandehuri Arianit Pllana, derisa dy të akuzuarit tjerë Bleon Hyseni dhe Egzon Salihu kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre që të mbrohen në heshtje duke mos u deklaruar për rastin.

Pllana ka treguar se pikërisht me 31 tetor 2018 ai ishte liruar nga qendra e paraburgimit ku kishte qenë për një vepër tjetër, ndërsa ka theksuar se nuk e ka njohur më herët të dëmtuarin Emin Emini.

Tutje i akuzuari Pllana gjatë mbrojtjes së tij ka thënë se ia kishte parë të miturit L. B., armën në dorë, por se nuk e kishte dëgjuar krismën e armës, me të cilën ishte plagosur në këmbë i dëmtuari Emin Emini.

“Unë ndoshta që ka qenë dita e parë që kam dal nga burgu dhe ajo që na ndodhi me krijoi panikë nuk kam mundur ta dëgjoj krismën e armës por e kam parë Lundrimin me armë në dorë dhe personin Emin Emini e kam parë të shtrirë, në atë moment personi me emrin Dren që ka qenë me Eminin, ka ikur”, tha Pllana.

Pas marrje në pyetje të të akuzuarit Pllana, dy të pandehurit tjerë Bleon Hyseni dhe Egzon Salihu kanë zgjedhur që të mbrohen në heshtje, duke mos u deklaruar fare për rastin.

Paraprakisht në këtë seancë gjyqësore është bërë edhe administrimi i provave, në monitorin e gjykatës janë lëshuar vidoincizimet e kamerave të sigurisë për këtë rast.

Kurse me qëllim që palët të përgatiten për fjalën përfundimtare, seanca e radhës për këtë rast është caktuar me 27 janar.

Prokurori dhe i akuzuari nuk vijnë në gjykatë, dështon seanca për plagosjen me armë

.