Dosja e Prokurorisë: I akuzuari akumulatorin e vjedhur e shet për të blerë drogë

Shtyhet gjykimi ndaj Fidan Tortoshit, i akuzuar për vjedhje të rëndë në Gjykatën e Mitrovicës.

Tortoshi po akuzohet nga prokuroria se në maj të vitit 2013, në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë kishte thyer derën e veturës Reno Clio, pronë e të dëmtuarit Milentije Milentijeviq dhe kishte vjedhur një akumulator të cilin e kishte shitur për 10 euro.

Sipas arsyetimit të aktakuzës, i akuzuari Tortoshi akumulatorin e vjedhur e kishte shitur për të blerë substancë narkotike.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e prokurores së rastit Jelena Marjanoviq e cila gjykatën e kishte njoftuar se gjendet në pushim vjetor deri më 21 shtator.

Ndonëse në seancë mungoi edhe i akuzuari Tortoshi, i cili nga gjykata nuk kishte pranuar ftesën, por në gjykatë prezantoi nëna e të akuzuarit zonja Sevdije Tortoshi.

Sipas saj: “Fidani është duke jetuar në Gjermani tash e 8 vite, në Kosovë do të vijë më 4 tetor dhe do qëndrojë 10 ditë”.

Gjykatësi Rrahman Beqiri, në kushte të tilla seancën e radhës e caktoi për datën 6 tetor 2021.