Dosja e Prokurorisë: Enver Ajeti përvetësoi mbi 71 mijë euro të PTK-së

Dështoi të mbahet seanca ndaj Enver Ajetit për përvetësimin e  71 mijë eurove.

Shkak për mos-mbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e të dëmtuarës Saranda Ademi, për të cilën rezultoi se Gjykata nuk ka provë se është ftuar me rregull.

Poashtu mungoi edhe eksperti Remzi Smajli i cili kishte njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantojë sot për shkak se kishte për të ligjëruar në Gjakovë.

Prokurori i rastit Shkëlzen Ibrahimi, deklaroi se kjo seancë nuk mund të mbahet pa praninë e Saranda Ademit për shkak se është ajo e cila ka përpiluar raportin e dëmit dhe atë dua ta ballafaqojë me ekspertët financiarë pasi kemi 4 ekspertiza kundërthënëse.

Seanca e radhës u caktua për datën 20 dhjetor.

Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë nuk i ka dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore për periudhën kohore 26 prill deri më 2 maj 2013, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro.

Kjo mungesë e mjeteve është zbuluar nga Komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës, si dhe koordinatorja e financave, thuhet në aktakuzë.