Dosja e Prokurorisë: Dy zyrtarë të Qeverisë çuan aplikacione për veteranë në Shqipëri

Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtareve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare si dhe të ushtrimit të ndikimit, duke u mundësuar disa personave përftimin e statusit të veteranit, me c ‘rast sipas Prokurorisë persona të ndryshëm nga statusi i veteranit të luftës përfituan në mënyrë të kundërligjshme shumën prej (njëqind e tridhjetë e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë) 133.280.00 eurove.

Prokuroria Speciale përmes komunikatës për media ka njoftuar se e pandehura, S.R. në cilësi të personit zyrtar, Udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe i akuzuari K.B. person zyrtar në të njëjtin departament të ministrisë së njëjtë, gjatë muajit tetor  të vitit 2017, në bashkëveprim, kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.

Prokuroria më tej përshkruan se dy të akuzuarit, i kanë tejkaluar autorizimet zyrtare, në atë mënyrë që pa autorizim kanë marrë nga DIFDL 31 formularë për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës ku kanë plotësuar 31 formularë për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Sipas Prokurorisë dy të akuzuarit, më pas formularët e plotësuar i sollën në Kosovë, dhe i dorëzuan në DIFDL të MPMS, të cilët deri më 30.11.2019, përfituan nga statusi i veteranit të luftës në shumë prej (njëqind e tridhjetë e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë)  133.280.00 € në mënyrë të kundërligjshme.

Për arritjen e qëllimit, Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B. për pranimin e katër formularëve në DIFDL të MPMS, për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë S.P. shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave tu siguroj pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.