Dosja e Prokurorisë: Dy të akuzuarit me profil të rremë kishin porositur telefon të shtrenjtë, dhe ia grabisin punëtorit të postës

Në mungesë të avokates të njërit të akuzuar, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ku dyshohet se dy të pandehur me kanosje dhe nën kërcënimin e armës grabitën 2 telefona.

Të akuzuar nga Prokuroria për këtë rast janë të pandehurit Arlind Berisha dhe Fatlum Bela.

Sipas aktakuzës të datës 26 maj 2021, Arlind Berisha dhe Fatlum Bela akuzohen se me kanosje serioze e përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetes së tyre t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme.

Aktakuza sqaron se fillimisht të pandehurit hapin “fake account” në rrjetin social Instagram dhe pastaj me emrin dhe me fotografinë e personit tjetër e porosisin një “Iphone 11 Pro Max” dhe vend pranimin e telefonit e caktojnë në fshatin Piranë.

Më tej aktakuza thotë se me 17 dhjetor 2020, rreth orës 12:00 i dëmtuari V. A., i cili punonte në postën e shpejt, shkon në fshatin Piranë për të dorëzuar telefonin e porositur dhe me të arritur aty, i pandehuri Arlind Berisha nga punëtori i postës së shpejtë merr telefonin e porositur “ Iphone 11 Pro Max” ndërsa i pandehuri Fatlum Bela nxjerr armën e zjarrit nga brezi ku ia drejton të dëmtuarit dhe ia merr telefonin personal të tipit “Samsung J5” dhe largohen në drejtim të panjohur.

Me anë të këtyre veprimeve Prokuroria pretendon se të pandehurit Arlind Berisha dhe Fatlum Bela kanë kryer veprën penale të grabitjes.

Në seancën e sotme, nuk ishte prezent avokatja e të pandehurit Fatlum Bela,  Myrvete Çollaku, për të cilën gjykata pati provë se ishte ftuar në mënyrë të rregullt por mos prezencën e saj nuk e kishte arsyetuar.

Lidhur me këtë çështje, përfaqësuesi i prokurorisë Metush Biraj, deklaroi se mungesa e avokates në shqyrtimin fillestar konsiderohej pengesë për vazhdimin e procedurës.

Me këtë mendim u pajtuan edhe palët e tjera në shqyrtim ku propozuan që e njëjta të shtyhet për një datë tjetër.

Duke i marr parasysh këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, mori vendim për shtyrjen e seancës për datë 16 gusht 2021.