Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Detaje se si babë e bir sulmuan policët në Mitrovicë për veturën e parkuar

Gjykata e Mitrovicës i ka caktuar masën e paraburgimit dy të dyshuarve për sulm ndaj policëve në Mitrovicë javën e kaluar

Prokuroria e Mitrovicës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve M.M. dhe V.M. për shkak të veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

Në hetim i përfshirë është edhe i dyshuari tjetër A.M. për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, mirëpo kërkesa e prokurorisë për paraburgim ka qenë vetëm për të dy të pandehurit e arrestuar.

Të dyshuarit pasditen e 29 korrikut në Mitrovicë kanë sulmuar personin zyrtarë policët të dëmtuarit A.A dhe Sh.T.

Sipas kërkesë së siguruar nga KALLXO.com derisa policët po kryenin detyrën e tyre dhe duke e paralajmëruar të pandehurin M.M. për ta larguar veturën e parkuar “Mercedes”, e cila bllokonte rrugën i pandehuri filloi që të kundërshtojë zyrtarët policorë.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se M.M. kishte filluar t’i fyejë policët dhe të refuzojë urdhrat e tyre, kështu që në momentin kur ata tentuan ta arrestojnë dhe ta prangosin atë, i pandehuri V.M., babai i tij, kërcen mbi veturë dhe i sulmon zyrtarët policorë duke i goditur të dëmtuarit.

Njëri nga zyrtarët policorë A.M. bie në asfalt ku pëson lëndime, të cilat sipas prokurorisë janë të evidentuara edhe në raportin mjekësor në Mitrovicë ku ishin trajtuar policët.

Prokuroria ka kërkuar që të pandehurve tu caktohet masa e paraburgimit në mënyre që të mundësohet zhvillimi i mëtejmë i procedurës, raporton KALLXO.com.

Sipas raporteve policore prokuroria ka thënë se është vërtetuar se zyrtarët të dëmtuarit policët A.A dhe Sh.T ishin duke kryer detyrën e tyre zyrtare dhe e kanë paralajmëruar të pandehurin M.M. që ta largojë veturën e tij e cila pengonte trafikun dhe e kishte bllokuar rrugën me ç’rast u sulmuan fizikisht nga i pandehuri.

Ndërsa zyrtarët policor ishin detyruar të përdorin edhe sprej për të arrestuar të pandehurit.

Në kërkesën e saj prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit duke arsyetuar kërkesën e saj se nëse të pandehurit gjenden në liri dhe nuk merren masa konkrete kundër tyre ekziston rreziku që edhe zyrtarët e tjerë policorë të sulmohen, ata gjithashtu janë të detyruar të kryejnë kontrolle kudo në fushën e autorizimeve te tyre dhe kështu do të ishin në rrezik për sigurinë e tyre nëse raste të tilla kalojnë pa sanksione dhe paralajmërime adekuate.

“Në shkresat e lëndës gjenden edhe CD-ja me incizimet të marra nga kamerat e sigurisë dhe raporte mjekësore të të dëmtuarve, gjë e cila edhe më tepër tregon mbi seriozitetin e kësaj vepre dhe veçanërisht në sjelljen e të pandehurve të cilit me veprimet e tyre mund të kishin rrezikuar zyrtarët e tjerë policë që ishin në vendngjarje”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Gjykatësi Gëzim Ademi ka vendosur masën 30 ditëshe të paraburgimit për secilin nga të pandehurit.

Sipas aktvendimit të siguruar nga KALLXO.com, kërkesa e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve është e bazuar pasi që gjykata ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën e cila u vihet në barrë.

Andaj gjykatësi Ademi ka aprovuar kërkesën e prokurorisë duke ua caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurve.

“Të pandehurit nuk u kanë bindur urdhrave të policisë dhe kanë shprehur një agresivitet ku të njëjtit kanë sulmuar edhe fizikisht e po ashtu edhe i kanë kanosur duke ju thënë “ Mos ma prekni kerrin sa jua këputi duart, ja u q…”, me çka është cenuar integriteti trupor dhe shëndeti i të dëmtuarve. Andaj nga këto veprime shihet qartë dhe personaliteti i tyre. Të gjitha këto rrethana e bindin edhe një vëzhgues objektiv se po qe se të njëjtit lihen në liri mund të përsërisin veprën penale “, thuhet ne vendimin e gjykatës.

Kundër vendimit të gjykatës ka bërë ankesë avokati Mahmut Halimi i cili në këtë çështje ka përfaqësuar të dyshuarin M.M.

Sipas ankesë dërguar gjykatës së Apelit ai ka kërkuar nga gjykata që vendimi i ankimuar ndaj të pandehurit M.M. të ndryshohet duke ia hequr masën e paraburgimit dhe ti vendoset njëra nga masat alternative qoftë edhe ajo e arrestit shtëpiak.