Foto: Ilustrim

Dosja e prokurorisë: Detaje nga arrestimi i zyrtarëve të Komunës së Istogut për lejet ndërtimore

Katër zyrtarë të Komunës së Istogut po dyshohet se kanë kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe konfliktit të interesit.

Jashar Blakaj, Rrustem Gashi dhe Rexhep Blakaj, zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Istogut, po dyshohen nga Prokuroria se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer tri vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ndërsa e pandehura tjetër Elfete Blakaj po dyshohet se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

Prokuroria e Pejës pretendon se ekziston dyshimi i bazuar mirë se të dyshuarit Jashar Blakaj, Rrustem Gashi dhe Rexhep Blakaj në bashkëkryerje me të dyshuarën Elfete Blakaj, nga kontrata e lidhur në mes të investitorit Arbnor Nurqaj si pronar i Kompanisë “NNT Noki” dhe punëkryesit “Ar-Beton” SH.P.K., ku si bashkëpronar me 50% të aksioneve është djali i të pandehurit Rexhep Blakaj, investitori me punëkryesin janë pajtuar që punëkryesi të ndërtojë objektin banesor me etazhitet B+P+5K+KT përkundër faktit se lejen ndërtimore e kishin pasur vetëm për etazhitet më të ulta.

Një pretendim të tillë prokuroria e mbështet përmes një postim që ishte shpërndarë në Facebook të faqes së kompanisë “Ar-Beton”, ku Prokuroria pretendon se shihet se ishte tejkaluar etazhiteti i paraparë me lejen e dhënë ndërtimore.

Tutje në dosjen e Prokurorisë përmendet edhe leja ndërtimore që thuhet se është lëshuar nga të pandehurit për objektin “Panorama 6” me etazhitet S+P+2K edhe përkundër faktit se aty parashihej etazhiteti i ulët.

Sipas Prokurorisë, keqpërdorim është kryer edhe në rastin e lidhjes së kontratës në mes të investitorit “Beni” SH.P.K dhe punë kryesit “Ma.Con” SH.P.K.

Dosja e Prokurorisë pretendon se investitori dhe punë kryesi janë pajtuar që ky i fundit të ndërtojë objektin banesor me etazhitet S+P+6+KT, dhe përkundër asaj se leja ndërtimore parashihte etazhitet më të ulët.

Edhe këtë pretendim Prokuroria e mbështet përmes një postimi që është parë në Facebook të faqes së kompanisë “Ma.Con” SH.P.K., ku thuhet se shihet objekti i ndërtuar me etazhitet më të lartë se me etazhitetin e paraparë me lejen ndërtimore.

Bastisja në Komunën e Istogut, shoqërohen në polici disa persona