Dosja e gjykimit ndaj të akuzuarve për transportimin e armëve nga ShBA-ja në Kosovë

 

Të akuzuarit për transport të armëve dhe dhënie ndihme në krim të organizuar, kanë dhënë fjalën përfundimtare në Gjykatën e Prishtinës.

Të akuzuar në këtë rast janë Miftar Dobraj dhe Artan Kelmendi dhe Daniell Prendrecaj, i cili akuzohet për dhënien e ndihmës për kryerjen e veprës penale.

Po ashtu në këtë rast ishte i përfshirë dhe Albert Veliu, ish-vozitës i Konsullatës së Kosovës në New York, i cili është dënuar për këto vepra nga një gjykatë në SHBA.

Në këtë seancë, të akuzuarit dhanë fjalën përfundimtare të cilën të gjithë avokatët e dorëzuan me shkrim në gjykatë.

Të akuzuarit edhe njëherë kërkuan nga gjykata që të merren parasysh deklaratat e mëhershme të tyre dhe të gjitha rrethanat lehtësuese.

Mbrojtësi i të akuzuarit Artan Kelmendi, avokati Visar Haxhibeqiri në fjalën përfundimtare kërkoi nga gjykata që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat meqë në aktakuzën e precizuar nga prokuroria tani më të akuzuar janë vetëm 2 persona dhe nuk mund të konsiderohet se është grup i organizuar për transport të armëve.

Gjithashtu, Haxhibeqiri kërkoi nga Gjykata që të merret parasysh fakti se i mbrojturi i tij është penduar për veprën e kryer dhe tani më e ka vuajtur dënimin deri në 4 vite paraburgim për atë vepër.

“I mbrojturi im ka paraqitur pendesën e tij për veprën e kontrabandimit me armë dhe ka treguar se në momentin e kryerjes së veprës ka qenë në gjendje të rënduar ekonomike financiare shpirtërore”, tha avokati Visar Haxhibeqiri.

Ndërsa i akuzuari Artan Kelmendi duke shfrytëzuar të drejtën e fjalës përfundimtare kërkoi nga gjykata që të ketë parasysh rrethanat në të cilat e ka kryer veprën dhe faktin se është penduar.

“Ndihem i penduar për gabimin që e kam bërë, asnjëherë më parë nuk kam gabuar, e për këtë gabim është dëmtuar edhe familja ime që është me nevoja të veçanta dhe unë jam mbajtës i tyre, e cila tani gjendet në gjendje të vështirë ekonomike dhe që 3 vite as nuk kanë pasur mundësi të më vizitojnë në burg”, tha i akuzuari.

I akuzuari tjetër, Daniell Prendrecaj kërkoi nga gjykata që të lirohet nga akuzat meqë sipas tij, prokuroria asnjëherë nuk ka mundur ta vërtetojë se ai ka ndihmuar në kryerjen e veprës së transportit të armëve, përveç se Artanit i ka huazuar automjetin dhe atë pa e ditur se çka po ndodh.

“Unë mendoj që duhet të më falet besimi për arsye se në asnjë moment nuk ka arritur prokuroria që ta vërtetojë që unë kam qenë në dijeni në lidhje me këtë rast, duhet të merren parasysh rrethanat shfajësuese për vet faktin se nuk kam bërë asgjë përveç se unë kam qenë në vend dhe kohë të gabuar”, tha Prendrecaj.

Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim për të tretën herë nga Gjykata e Apelit, dhe në herën e dytë të rigjykimit të akuzuarit janë dënuar me dënime më të larta.

Në seancat paraprake është bërë precizimi i aktakuzës, për të akuzuarin Daniell Prendrecaj, i cili akuzohej për veprën, krim i organizuar dhe tani ai akuzohet për veprën, ndihmë në kryerjen e veprës penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve.

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi  po akuzohen nga prokuroria Speciale se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në New York, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Ky gjykim ndaj këtyre të akuzuarve ka filluar në muajin prill të vitit 2018 nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtor të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me 12 vjet e 8 muaj burgim e 14 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.

Gjykata e Prishtinës kishte dënuar Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

Artan Kelmendin e dënoi me 5.2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniell Prendrecajn e dënoi me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e të akuzuarin Dren Mulla e dënoi me 4 mijë euro gjobë

Po ashtu, Gjykata kishte dhënë dënim plotësues konfiskimin e anti-tankut “Zola’’ me projektil 64 mm,  8 pushkëve automatike  AK47, një pushkë ajrore, një revole ‘’GLOC’’, një Audi A3, shumën prej 1 mijë e 653 euro si dhe 3 telefona.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, pasi që Gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që e ka bërë gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin e tij, konstatimi i gjykatës së shkallës së parë ishte në kundërshtim me provat materiale, gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.

Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.

Precizohet aktakuza lidhur me transportin e armëve nga SHBA-ja në Kosovë