Dosja e Gjykatës: Të pandehurit për vrasjen në Gjilan dyshohen edhe për vepra të tjera penale

Të dyshuarve për vrasjen e Bakush Veselit, të pandehurve Faton Osmani, Gzim Bajrami dhe Irfan Veseli, Gjykata e Gjilanit u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për këtë masë sigurie.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Gjykatës për Faton Osmanin, Gzim Bajramin dhe Irfan Veselin, të cilët dyshohet se kishin përgatitur planin dhe kishin realizuar vrasjen e tashmë të ndjerit Bakush Veseli.

Gjithashtu, në aktvendim thuhet se të dyshuarit janë të njohur për Policinë edhe për vepra të tjera penale dhe se po të liheshin në liri mund të përsërisnin veprën penale apo mund të kryejnë edhe vepra të tjera penale.

Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se pas ngjarjes kritike ku ka mbetur i vdekur Bakush Veseli, të tre të akuzuarit nga zyrtarët policorë ishin kapur në shtëpinë e të dyshuarit Irfan Veseli.

Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës thuhet se njëra ndër arsyet për caktimin e paraburgimit është se për veprën penale për të cilën dyshohen të pandehurit mund të dënohen me burgim jo më pak se 10 vite e deri në dënim me burgim të përjetshëm.

Prokuroria dje ka njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar, më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitje paraprake, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalur te një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.