Dosja e Gjykatës - Pse ishte dënuar Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj

Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, është dënuar për një incident të ndodhur në dhjetor të vitit 2020.

Ai kishte pranuar fajësinë se i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar lëndimë të dëmtuarit Z. H., por ky aktgjykim ndaj tij nuk është i plotëfuqishëm.

Dosja e Gjykatës sqaron se i dëmtuari kishte dashur t’i lajmrojë policinë të dyshuarit pasi kishte dyshime që ai po konsumonte drogë, e Dardan Krivaqa menjëherë e kishte kapur për qafe dhe i kishte vënë thikën në fyt duke i shkaktuar gërvishtje në anën e majtë të qafës.

Dardan Krivaqa i kishte pranuar para gjykatës këto veprime që e inkriminonin atë.

Për këtë vepër penale gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim me burgim prej 180 ditësh, dhe aty i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër e dënimit i ishte shndërruar në punë në dobi të përgjithshme prej 180 orëve.

Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit kishte matur rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Si rrethanë veçanarisht lehtësuese gjykata kishte konstatuar faktin se i pandehuri e kishte pranuar fajësinë në shqyrtim fillestar, rrethanë tjetër lehtësuese pendimin e sinqertë dhe real për veprën e kryer, dhe faktin se i akuzuari është në përkujdesje të nënës së tij.

Ndërsa si rrethanë rënduese gjykata kishte vlerësuar të kaluarën kriminale të tij, shkallën e rrezikshmërisë penale dhe rrezikshmërinë konkrete të veprës penale.

Gjyqtar i çështjes ishte Shabi Idrizi.

I dyshuari kryesor pë vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj, Dardan Krivaqa gjendet në arrati, i njëjti është duke u kërkuar nga organet e rendit. 

Ndërsa i dyshuari tjetër A. S. është sjellë sot në Gjykatën e Ferizajt, ku pritet të caktohet masa e sigurisë ndaj tij sipas kërkesës së Prokurorisë.