Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Doktori Fadil Beka ftohet nga Gjykata Speciale

Gjykata Speciale i ka dërguar ftesë Fadil Bekës, i cili ka shërbyer si mjek në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Drenicës.

Lajmin për këtë ftesë e ka bërë të ditur Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, i cili ka thënë që Fadil Beka duhet të ndihet krenar për veprimtarinë e tij gjatë luftës.

“Sapo mora lajmin që një ndër doktorët me të mirë që ishte në luftën e fundit në Kosovë dhe në radhët e UÇK-së, bashkluftëtari im Fadil Beka është ftuar nga Gjykata Speciale, unë i them doktorit të ndihesh krenar me veprimtarinë tënde gjatë luftës por edhe mbas luftës për kontributin tënd në shtet formimin e Kosovës, çdo herë do jemi përkrah dhe në mbrojtje të vlerave të luftës, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund ta njollos dhe ta gjykoj askush”, ka shkruar Gucati në facebook.

Prokuroria Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, që nga dhjetori i vitit 2018 e deri më tash, sipas të dhënave të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka intervistuar rreth 100 persona, duke përfshirë edhe kryeministrin në largim Ramush Haradinaj i cili pikërisht për shkak të kësaj ftese ka dhënë dorëheqje.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.

 

.