
Dobruna: 'Thuj be që i kom harru krejt. A e di që i kam harru krejt? Kallxoju.'
Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, më 14.01.2025, ka filluar dëshminë Sokol Dobruna, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.
Dëshmitari Sokol Dobruna gjatë dhënies së dëshmisë së tij deklaroi se ka problem me kujtesën dhe se nuk po i kujtohen ato për të cilat po pyetet nga prokurori John Capin.
“A ju kujtohet që unë ju kam pyetur në qoftë se ju keni parë një të burgosur serb të vdekur në burgun e Kleqkës. A ju kujtohet kjo?” – pyeti prokurori Capin.
“Kam problem me këtë kujtesë, ta hajë dreqi! Nuk më kujtohet, veç s’është me rëndësi mund të jetë, nuk e mohoj – ashtu po mendoj.” – tha dëshmitari Dobruna.
“Më konkretisht, a ju kujtohet që keni bërë sqarime në deklaratën tuaj se vendi ku e keni parë këtë të burgosur ka qenë një qeli brenda një burgu?” – ishte pyetja e radhës nga Prokurori.
Ndërsa me “Jo.” – u përgjigj Dobruna.
Në pyetjet e radhës, Prokurori pyeti dëshmitarin Dobruna, nëse i kujtoheshin fjalët të cilat ishin korrigjuar nga ai. Lidhur me këtë dëshmitari Dobruna tha se nuk e di për cilat fjalë.
Tutje, prokurori Capin i kujtoi një fjalë Dobrunës, e cila ishte korrigjuar. Ndërsa, dëshmitari Dobruna tha se ‘I kishte harruar.’.
“Thuj, bre, që i kom harru krejt. A e di që i kam harru krejt? Kallxoju.” – tha dëshmitari Dobruna.
Pas kësaj Trupi Gjykues bëri pushim prej dhjetë minutash, që dëshmitari Dobruna të konsultohet me avokatin e tij . Ndërsa, kur palët u kthyen në Sallë, seanca kaloi në sesion privat për disa minuta.
Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.