Foto: Kallxo.com

Djemtë e Isa Mustafës tregojnë në gjyq se si iu zbulua ‘sekreti tregtar’ për mallrat e blera në Serbi

Në Gjykatën e Ferizajt ka filluar sot procesi gjyqësor ndaj tre personave të cilët po akuzohen për keqpërdorim pasi printuan të dhëna të cilat dëshmonin për importe nga Serbia të kompanisë së djemve të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës.

Të dy djemtë e Isa Mustafës, Arben e Besnik Mustafa, konsiderojnë se e gjithë kjo është bërë me qëllim të dëmtimit të imazhit të tyre si djem të ish kryeministrit të Kosovës.

Ata nuk e konsiderojnë se i është shkaktuar dëm material nga e gjithë kjo si dhe nuk do të paraqesin kërkesë për pagim të dëmit material.

Gjatë dëshmisë së tij Besnik Mustafa njoftoi gjykatën se për rastin në fjalë nuk ka ditur gjë derisa e ka parë shpërndarjen si lajm në media e portale, kinse këta “djemtë e Isa Mustafës” po bëjnë biznes me Serbinë dhe po marrin mall nga Serbia.

Ai tha se më 3 prill 2016 e ka parë publikimin e disa faturave të cilat janë nxjerrë në media për mallin e blerë nga firma e tij “ Makcar”, nga një kompani e autorizuar për BMW në me seli në Beograd.

Agjension kontraktues për këto blerje ka qenë “Inter Evropa” drejtor i së cilës është Arben Mustafa. Roli i saj ka qenë zhdoganimi dhe transporti i automjeteve dhe pjesëve të automjeteve.

“Ne nuk e kemi ditur se nga kush kanë dalë ato fatura. Të dhënat e publikuara kanë qenë fatura të pjesëve rezervë të automjeteve që janë importuar nga përfaqësuesi i autorizuar i BMW në Serbi”, tha besnik Mustafa.

Ai u pyet nga prokurori i rastit, Rasim Maloku, se çfarë konsiderohet sekret tregtar.

“Ne e konsiderojmë sekret tregtar atë sepse në fatura të publikuara në media është parë se me çfarë çmimi i kemi blerë ne pjesët e automjeteve nga Serbia dhe pastaj klientët tanë kanë mundur ta shohin se me çfarë çmimi ne u kemi shitur ato atyre”, tha Besnik Mustafa i cili sot në doli para gjykatës në cilësinë e dëshmitarit.

Ai gjithashtu deklaroi se e ka ndërruar emrin e firmës nga “Makcar” në “M Group” për shkak se i kanë blerë aksionet nga një firmë që ka qenë e aksionare nga Maqedonia.

Por ai mohoi që ndërrimi i emrit të kompanisë të jetë bërë për shkak të këtij rasti.

Ndërsa Arben Mustafa gjatë dëshmisë së tij deklaroi se ishte deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ai që në parlament kishte thënë se djemtë e Isa Mustafës bëjnë biznes me Serbinë.

“Këtë e bëri për ta dëmtuar babain tim dhe neve si familje, e jo si pronar të kompanisë”, tha Arben Mustafa.

Ai në vazhdim theksoi se pas publikimit të këtyre të dhënave nuk është zbehur afarizmi i kompanisë.

Në pikën e shpedicionit të kompanisë “Inter Evropa” në Han të Elezit, i vetmi punëtor kishte qenë tani i akuzuari Isa Shiti, dhe pas kësaj për këtë arsye Isa Shiti është larguar nga puna, tha ai

“Unë si palë e dëmtuar i bashkëngjitem ndjekjes penale. Unë nuk paraqes kërkesë për kompensimin e demit material meqë edhe e kam cekur më lart se demi material nuk mund të precizohet në mënyrë të sakte por kërkoj të zbardhet ky rast dhe të dalë e vërteta në shesh”, tha Arben Mustafa.

Më herët, KALLXO.com raportoi për aktakuzën ndaj tre personave në këtë rast.

Isa Shiti, Enliat Shala dhe Ramadan Latifaj përballen sot në Gjykatën e Ferizajt me akuzat se printuan transaksionet që kompania “MAKCAR” L.L.C, me pronar Besnik Mustafën, kishte me një kompani nga Serbia.

Gjatë kësaj seance në cilësi të palës së dëmtuar dhe si dëshmitar pritet të dëshmojnë edhe dy djemtë e Isa Mustafës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se të akuzuarit Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala me datë 10 mars 2016 në Degën Rajonale të doganës në Ferizaj si persona zyrtar duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që personit tjetër t’i shkaktoj dëm në atë mënyrë që me kërkesë të pandehurit Enliat Shala i pandehuri Ramadan Latifi ka hapur sistemin Asyeuda në kompjuterin e punës në zyrën e Isa Shitit dhe ka printuar deklaratën unike doganor (DUD), te importuesit “MAKCAR” L.L.C, me pronar Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors”, D.O.D me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrjen dhe pronarin e saj.

Ekskluzive: Tre persona akuzohen se zbuluan importe nga Serbia të djemve të Isa Mustafës

Lidhur me këto veprime Prokuroria pretendon se Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë Ramadan Latifaj dhe Enliat Shala në bashkëkryerje kryen edhe veprën penale të komunikimit të paautorizuar të sekretit tregtar.

Më tej Prokuroria pretendon se Enliat Shala së bashku me të akuzuarin tjetër Isa Shiti gjashtë ditë më pas, me 16 mars 2016 afër vendkalimit kufitar Hani i Elezit, përderisa Enliat Shala si person zyrtar, doganier në degën rajonale të doganës në Ferizaj së bashku me Isa Shitin shpediter në “Interevropian”, me seli në Han të Elezit, me pronar Arben Mustafën me qëllim që personit tjetër t’i shkaktojnë dëm kanë vepruar në atë mënyrë që me kërkesën e të akuzuarit Enliat Shala i akuzuari tjetër Isa Shiti ka hapur sistemin Asyeuda në kompjuterin e punës në zyrën e tij dhe ka printuar Deklaratat Unike Doganore të importuesit “MAKCAR” L.L.C, të pronarit Besnik Mustafa, lidhur me importimin e pjesëve origjinale për vetura të markës BMW nga ndërmarrja “Delta Motors”, D.O.D me seli në Beograd të Serbisë, e cila është publikuar në mjetet e informimit me qëllim të shkaktimit të dëmtimit për ndërmarrje dhe pronarit të saj, që sipas Prokurorisë dy të akuzuarit në bashkëkryerje kryen verën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.