Fation Shota para gjykatës (Arkiv)

Djali nga Shqipëria pranon që kishte pasur drogë kur e kaloi kufirin ilegalisht

Në gjykimin e të akuzuarve Fation Shota e Astrit Ibishi, të akuzuar në bashkëkryerje për blerje, shitje dhe shpërndarje të narkotikëve, pranë gjykatës së Gjakovës u dëgjua polici Labinot Morina.

Shota, nga Fushë Kruja e Shqipërisë po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës edhe për veprën penale të kalimit të paautorizuar të kufirit.

Polici Labinot Morina tregoi se Astrit Ibishi kishte hyrë në këmbë në pikën kufitare afër 300 metra në territorin e Kosovës.

“Pastaj Astriti kishte marrë automjetin që e kishte lënë në territorin e Kosovës dhe Fationi kishte zbritur nga mali për të hyrë në veturë dhe aty i kemi zënë”, deklaroi polici Labinot Morina në gjykatën e Gjakovës.

Ai tha se në bazë të fjalëve të dyshimtit i ishin gjetur 140 gramë substanca narkotike.

“Sipas bindjes sime, sasia ka mujt me qenë deri në 160 ose 170 gramë”, deklaroi ai.

Më pas gjykimi vazhdoi me mbrojtjen e të akuzuarve.

Fation Shota, i akuzuar për shitje e blerje të marihuanës dhe për kalim ilegal të kufirit, tregoi se drogën e kishte marrë nga një vajzë e Lushnjës.

Sipas aktakuzës, Fation Shota dhe Astrit Ibishi në kufirin Qaf-Morinë kishin importuar marihuanë në peshë prej 1.5 gram.

Pastaj me taksi kanë shkuar në qytetin e Tropojës, ku Fation Shota kishte lënë takim me një vajzë nga Lushnja dhe marihuanën e kishte vendosur në trup, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza shpjegon se më pas dy të akuzuarit kishin shkuar në kufirin Qaf-Morinë dhe Fation Shota në mënyrë ilegale kishte kaluar ta kalojë kufirin, por ishte arrestuar nga zyrtarët policorë. Nga ekzaminimi laboratorik është konstatuar kanabis marihuanë në peshë prej 1.61 gram.

Si vazhdim i kësaj, aktakuza thotë se Fation Shota duke anashkaluar vendkalimin e autorizuar kufitar të Kosovës me Shqipërinë, në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore ka hyrë në territorin e Kosovës dhe është arrestuar.

Këto veprime kishin ndodhur më datën 26 dhjetor të vitit të kaluar.

“Taksistin Astritin nuk e kam njohur më parë por jam takuar po atë ditë dhe jemi dakorduar që të më dërgojë në Gjakovë për 50 euro, e pastaj meqenëse Astriti nuk ka pasur autorizim për Shqipëri kemi marrë taksi tjetër dhe gjatë rrugës unë jam ndalur në Rragam e Astriti më ka pritur afër kufirit Qaf-Morinë”, deklaroi Fation Shota sot në gjykatë.

Astrit Ibishi para gjykatës

Ai tregoi se arsyeja që e kishte marrë Astritin me vete ishte që i duhej t’ia bënte pagesën.

“Astritit i kam thënë që duhet të ndalem në Tropojë për me marrë dokumentacion”, deklaroi Fation Shota.

“Pastaj unë e kam marrë mallin, e kam fshehur dhe Astriti nuk ka qenë në dijeni për asgjë përveç që kam me taku një vajzë”, tha ai.

Ai tregoi që vajza nga e cila kishte marrë narkotikun ishte nga Lushnja me banim në Tiranë.

Shota pranoi që kishte kaluar kufirin në mënyrë ilegale, nga pjesa e malit.

“Unë jam përdorues i marihuanës qe 12 vite dhe konsumoj 10 deri 12 cigare në ditë dhe për këtë nuk kam kërkuar ndihmë për shërim”, deklaroi i akuzuari Fation Shota.

“Nga momenti që jam ndaluar nga policia e deri tash nuk kam përdorur marihuanë, por në qendrën e paraburgimit në Pejë na kanë trajtuar me medikamente përkatëse me qëllim që mos të jemi të varur prej narkotikut dhe se ky trajtim ka ndikuar pozitivisht dhe ndihem më i sigurt”, deklaroi ai.

Shota tha se për sasinë 140 gramë kishte paguar 100 euro.

“Hyrja ime në Kosovë ka qenë punësimi dhe asnjëherë nuk kam pasur probleme me ligjin”, tha Fation Shota.

Duke pranuar veprimet e veta, ai tregoi se kishte qenë i rekomanduar që të punojë në ndërtimtari në lidhje me qeramikë në Kosovë.

Më pas i akuzuari Astrit Ibishi tregoi se Fation Shotën nuk e njihte më parë.

“Kemi shkuar deri në kufi me veturën time Opel Vectra, e kemi lënë aty dhe pastaj me taksi kemi shkuar në Shqipëri, në Tropojë, për t’u taku Fationi me femnën e vet, ndërsa unë e kam pritur në kafe rreth 4 orë”, deklaroi Astrit Ibishi.

“Fationi më ka kërkuar falje dhe më ka thënë më shumë po mërzitna për ty se sa për vete”, tha ai.

Ibishi tha se kishte qenë konsumues i drogës rreth 5 ose 6 vite.

“Policia më ka marrë në pyetje pa prezencën e avokatit dhe se me zor m’kanë shti me fol, me sharje e fyrje nga policët edhe duke na vendos armën në kry”, deklaroi Astrit Ibishi.

Ai tregoi se kishte pasur llogari të priste sepse Fationi si fillim ia kishte dhënë vetëm 20 euro nga shuma e pajtuar për ta paguar si taksist.

Pas përfundimit të deklarimeve të të akuzuarve, trupi gjykues në krye me gjyqtarin Gëzim Pozhegu caktuan datën 13 gusht për dhënien e fjalës përfundimtare.

KALLXO.com ka raportuar edhe dje për këtë rast.

I riu nga Shqipëria gjykohet në Kosovë për drogë dhe kalim ilegal të kufirit