Foto: Kallxo.com

Djali i të akuzuarit për drogë pretendon se u rrah nga Policia gjatë hetimeve

Në gjykimin kundër 10 të akuzuarve për krim të organizuar lidhur me trafikun e narkotikëve dhe shmangies nga tatimi, sot në sallën e gjykatës u dëgjua dëshmia e Albin Sejdiut, i biri i të akuzuarit Burim Sejdiu.

I pyetur nga prokurori Dren Paca vetëm se a kishte dhënë deklaratë më 6 mars dhe 12 qershor 2019 në Polici, dëshmitari Albin Sejdiu deklaroi se “po kam dhënë” duke treguar se nënshkrimi i vënë në deklaratë është i tij.

I pyetur nga avokati Ymer Huruglica, mbrojtës i Xhevahir Sumës, se a e njeh të akuzuarin Suma, dëshmitari Albin Sejdiu deklaroi se nuk e njeh por shtoi se ka qenë i detyruar ta pranojë që e njeh pasi “në polici më kanë rrehë”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, deklaroi se këtë deklaratë të dëshmitarit do ta dërgojë për procedim në prokurori për hetim të zyrtarëve policorë.

“Herën e parë kanë ardhë 3-4 policë civilë me kerr në ora 23:00, më kanë shti në një shtëpi më kanë mshu barkut, më kanë dhënë një shuplakë dhe më kanë thënë se nëse nuk i pranon këto sene kemi me të çu në burg kemi me të dënu 5 vjet”, tha dëshmitari Albin Sejdiu lidhur me deklaratën e dhënë në Polici.

I pyetur nga gjykata se më kë ishte në shtëpi kur kanë ardhur policia për ta marrë, dëshmitari Sejdiu deklaroi se aty ka qenë me axhën e tij, Blerim Sejdiu.

“E policia më kanë thënë se vetëm kemi me të pyet diçka, më kanë dërgu në një shtëpi, më kanë thënë se ti i di krejt, ke punu me babain tënd, më kanë grushtuar barkut dhe unë kam piskatë, dhe ka ardhë mixha por se kanë lënë me hy brenda”, tha ai.

Dëshmitari Sejdiu deklaroi se deklaratë në Polici kishte dhënë një javë pasi ishte marrë në ora 23:00 të natës nga zyrtarët policorë.

“Një javë pas asaj natë që më kanë marrë nga shtëpia më kanë thirre për të dhënë deklaratë në Polici”, tha dëshmitari Albin Sejdiu.

Tutje dëshmitari Sejdiu deklaroi se kur ka dhënë dy herë deklaratë në Polici në marrjen e deklaratës ishte polici i cili e kishte rrahur me mbiemrin Guri.

Poashtu dëshmitari tregoi para gjykatësve se si gjatë marrjes së deklaratës në Polici, ishte prezent edhe punëtori i qendrës për punë sociale por i njëjti gjatë gjithë kohës kishte fjetur.

“Përveç policëve ishte punëtori i qendrës  për punë sociale dhe gjithë kohën ka fjetë dhe kur e kam kry deklaratën atëherë i dul gjumi”, tha dëshmitari Albin Sejdiu.

Ndërsa në pyetjen e avokatit Naim Rudarit, mbrojtës i të Adem Nezaj, se a është në dijeni se çfarë përmbajnë deklaratat e dhëna në polici të datave 6 mars dhe 12 qershor 2019, dëshmitari Albin Sejdiu deklaroi se “nuk e di se çfarë ka në këto deklarata përveç atyre që mësova sot në gjykatë”.

Tutje dëshmitari Sejdiu deklaroi shkurt në gjykatë se të akuzuarin Adem Nezaj nuk e njeh.

I pyetur nga Avokati Admir Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Gëzim Krasniqit, se a është i tij nënshkrimi në deklaratat e dhëna në Polici Albin Sejdiu u përgjigj se “nënshkrimi në deklarata është i imi por jo deklaratat”.

Por dëshmitari Sejdiu, deklaroi se e njeh të akuzuarin Gëzim Krasniqi, “pasi Gëzimin babi im e ka djalë të dajës”.

I pyetur nga prokurori Dren Paca, se dhunën që pretendonte se e ka përjetuar nga zyrtarët policorë a e ke lajmëruar diku, dëshmitari e dha përgjigje negative.

“Jo, nuk jam shku se se kam ditë, as te ndonjë mjek nuk kam shku se një javë s’kam dalë nga shtëpia prej tutës”, tha ai.

“Por një ditë të njëjtit policë kanë ardhur te shkolla ime dhe më kanë shikuar shtrembër unë jam frigu dhe kam shkuar të psikologu i shkollës”, përfundoi dëshmitari Albin Sejdiu.

I pyetur nga gjykatësi Valon Kurtaj, se a mund të përshkruajë policin që ka ushtruar dhunë ndaj tij, dëshmitari Sejdiu deklaroi se “ka qenë i gjatë, me flokë të shkurta, ka pasur fytyrë të gjatë”.

Në këtë rast, Adem Nezaj, Xhevahir Suma, Burim Sejdiu, Gëzim Krasniqi, Jasir Bardi, Fuat Bardi, Frukan Bardi, Hajrullah Bushi, Daut Suma, Qerson Islami akuzohen se 3 tetori 2018 deri më 9 shkurt 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal sipas detyrave të ndara kanë sjellë drogën nga Republika e Shqipërisë për ta shitur në Kosovë.

Sipas aktakuzës, udhëheqës i grupit ishte i akuzuari Xhevahir Suma ndërsa drogën nga Shqipëria në Kosovë pretendohet se e ka sjellë Adem Nezaj.

Ndërsa i akuzuari Burim Sejdiu, sipas Prokurorisë, kishte për detyrë që drogën e sjellë nga Shqipëria ta sistemonte në shtëpinë e tij në Ferizaj, ndërsa i akuzuari tjetër Zylbehar Krasniqi kishte për detyrë që drogën ta sistemojë në shtëpinë e tij në Han të Elezit, ndërsa Gëzim Krasniqi drogën ta sistemonte  në mobilierinë “Niti” në fshatin Softaj.

Të akuzuarit e tjerë Jasir Bardi, Fuat Bardi, Furkan Bardi, Hajrullah Bushi, Daut Suma, sipas aktakuzës, kanë pasur detyrë të transportojnë të paktën 4 herë me vetura drogën nga territori i Kosovës për në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa të akuzuarit Burim Sejdiu  dhe Qerson Islami, po akuzohen nga Prokuroria edhe për veprën penale shmangie nga tatimi.

Aktakuza thotë se i akuzuari Burim Sejdiu, duke qenë person i autorizuar i kompanisë “Burimi Trade” nga viti 2014 deri në vitin 2018 nuk i ka dokumentuar shitjet në përputhje me ligjin dhe më këtë i është shmangur pagimit të tatimit në shumë prej 5,945 euro.

Ndërsa Qerson Islami akuzohet se duke qenë pronar i “IQ Global”, për periudhën kohore nga viti 2014 deri në vitin 2018, ka prezantuar të hyra më të vogla se transaksionet bankare të realizuar e me këtë është shmangur nga pagimi i tatimit në shumë prej 4,783 euro.