Ilustrim

Deçan: Kolegët rrëfejnë se si djali i pronarit qëlloi me pistoletë punëtorin Agonis Tetaj

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt, i cili ishte vrarë në vendin e tij të punës, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan.

Për këtë vrasje po akuzohet djali i pronarit të kompanisë “Gogaj AG”, i akuzuari Shaban Gogaj.

Lidhur me këtë rast edhe kryetari i Komunës se Deçanit Bashkim Ramosaj kishte dalë me një deklarate duke e quajtur si aksidentale vrasjen e Agonis Tetajt.

Deklarata e kryetarit Ramosaj nga familjarët e të ndjerit ishte parë si paragjykuese dhe ndikuese në hetimin dhe gjykimin e rastit të vrasjes së Agonis Tetajt.

https://kallxo.com/ligji/vrasja-ne-decan-gruaja-kerkon-llogari-nga-kryetari-pse-e-quajti-aksidentale-vrasjen-e-burrit-te-saj/

Sot para gjykatës disa dëshmitarë dhanë versionin e tyre për momentet kritike të 23 shtatorit të vitit 2018.

Fillimisht u dëgjua arkëtarja e kompanisë ku kishte ndodhur rasti, dëshmitarja Natyra Melaj.

Prokuroria e Pejës përshkruan në aktakuzë se i akuzuari Shaban Gogaj pranon një telefonatë nga vajza e hallës së tij, Natyra Melaj, e cila punon si arkëtare në atë vend, ku nga kjo bisedë shihet se ai është dukshëm i acaruar, e pas telefonatës merr në shenjë tani të ndjerin Agonis Tetajn.

Dëshmitarja rrëfeu se ditën kur ka ndodhur rasti, kur edhe kishte kontaktuar me të akuzuarin, kishte qenë në bjeshkë dhe biseda kishte ndodhur në ora 11:00.

Sipas dëshmitares biseda me të akuzuarin Gogaj kishte zgjatur 3-4 minuta, dhe ata kishin biseduar lidhur me ushqimin që ajo e kishte porositur atë ta merrte në bjeshke.

“Shaban qa po bon, a je mire, mos harroni me i marr qato sende, babi e ka dhez grillin”. Sipas dëshmitares kjo ishte biseda e zhvilluar mes saj dhe të akuzuarit.

Paraprakisht sipas dëshmitares, ajo i  kishte dërguar një mesazh motrës se saj për të marrë ushqimin, porse nuk e dinte nëse ajo e kishte pranuar atë mesazh andaj kishte kontaktuar me Shaban Gogajn.

Lidhur me armën dëshmitarja deklaroi se një armë kishte qenë në dollap në vendin e punës dhe për të kanë qenë në dijeni anëtarët e familjes që kanë punuar te arka.

“Armë tjetër nuk ka pasur”, shtoi dëshmitarja.

“Raportet mes të akuzuarit dhe të ndjerit ishin shumë të mira, nuk ka pasë konflikt”, tha dëshmitarja.

Dëshmitarja u pyet nga mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha, për relacionin e saj më të ndjerin Agonis Tetaj.

“Natyra a ka pasë ndonjë relacion mes teje dhe Agonisit që me e bo djalin e dajës tënd që me qëllu një koleg që ju e quani si me pasë familje?”, ishte pyetja e Berishës.

“Nuk ka pasë diçka që me shty me bo qata”, u përgjigj dëshmitarja.

Sipas saj nuk ka pasur arsye qe pas telefonatës me të Shaban Gogaj të privonte nga jeta Agonis Tetajn.

“Nuk ka pasë acarim pas telefonatës me mu, dhe kisha pas qejf me i dal përpara me ia thanë të vërtetën të gjithëve”, shtoi ajo.

Dëshmi para trupit gjykues dha edhe arkëtarja tjetër e kompanisë “Gogaj AG”, motra e Natyra Melajt, dëshmitarja Florentina Melaj.

Sipas dëshmitares në deklaratën e saj të dhënë në Polici ishin konstatuar fjalë që ajo nuk i kishte deklaruar.

“E pse e ki nënshkruar ti atëherë deklaratën?”, u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Violeta Husaj Rugova.

“Se i besova që i ka fshi ato që i kërkova”, u përgjigj dëshmitarja.

Dëshmitarja deklaroi se në arkë kanë punuar ajo, motra e saj Natyra Melaj dhe një vajze e dajës.

Sa i përket armës ajo tha se ka qenë në dijeni se ka qenë një armë e lejuar, porse a ka pasur të tjera nuk e dinte. Arma sipas saj kishte qenë në dollapin e tretë.

“Ti ke punuar 5-6 vjet aty. A e ke hapur pra ndonjëherë dollapin e tretë?”, u pyet nga mbrojtësi Berat Tmava.

Ajo tha se asnjëherë nuk e kishte hapur atë dollap.

Ndërsa raportet mes të akuzuarit dhe të ndjerit kanë qenë të mira, sipas dëshmitares.

Ngadhënjim Gjikokaj, punëtor i kompanisë “Gogaj Ag” për 11 vite, tregoi para Gjykatës versionin e tij të ngjarjes.

Ai tha se kishte qenë të dera e lokalit kur kishte dëgjuar të shtënat.

Dëshmitari deklaroi se raportet mes të akuzuarit dhe të ndjerit kishin qenë të shumë të mira.

Sipas dëshmitarit nuk ka pasur ndonjë motiv për vrasjen duke shtuar se secili prej tyre mund të ishte në vend të Agonis Tetajt.

Pas këtij deklarimi të tij, prokurori Agron Uka pyeti dëshmitarin se si e nxjerr njeri revolen edhe shtie me të në drejtim të dikujt pa pasur ndonjë problem.  Dëshmitari u përgjigj se nuk e di.

Para trupit gjykues u dëgjua edhe punëtori tjetër, Zeqë Zukaj.

“Dëgjova Shabanin duke thënë: O kuku, me shkrepi arma dhe e kapa Agonisin”, tha ai duke rrëfyer momentet e ditës kritike.

Sipas tij raportet mes Shaban Gogajt dhe Adonis Tetajt kanë qenë raporte shumë të mira.

“Pse atëherë erdhi deri të vrasja nëse paskan qenë raportet e mira?” pyeti prokurori. “Nuk e di” u përgjigj ai.

Ndërsa pasi prokurori e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në Polici ku ka deklaruar se vrasja ka ndodhur aksidentalisht, dëshmitari tha se ka nënkuptuar që vrasja ka ndodhur pa qëllim.

Sa i përket armës dëshmitari deklaroi se armën me gaz e kishte parë dhe kishte qenë e bardhë.

Dëshmitari tha se qasje në dollap nuk kishte pasur por që armën e kishte parë.

Dëshmitari u ballafaqua me deklaratën e Selmon Tetajt, ku ky i fundit kishte deklaruar se kishte dëgjuar Zeqën duke iu drejtuar Shabanit me fjalët: “Lehtë e ki me neve po hajt me Agonisin”.

Por sipas dëshmitarit këto nuk ishin të vërteta.

Atëherë u ftua dëshmitari Selmon Tetaj që të ballafaqohet direkt më dëshmitarin Zeqë.

Trupi gjykues i kërkoi dëshmitarit që nëse mundet ta shikojë në sy dhe le t’i thotë ato çka deklaroi.

“Zeqë, bonu burrë e fole të vërtetën!”, deklaroi Selmon Tetaj

“Unë burrë jam”, u kundërpërgjigj ai.

“E çka don me thanë kur dalin incizimet e shihet Shabani tu e kap alltinë?”, reagoi Tetaj.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F.Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.

Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Seanca e radhës mbahet nesër.