Foto: Kallxo.com

Dilema për ekstraktin e lindjes të lëshuar në një fshat të Leposaviqit

Në gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar gjykimi kundër të akuzuarit Nezir Aliu që po akuzohet nga Prokuroria për falsifikim të një ekstrakt të lindjes.

Në seancën e sotme i akuzuari u deklarua edhe një herë se nuk ndjehet fajtor për akuzën e bërë nga prokuroria.

Pas kësaj, fjalën hyrëse e ka dhënë prokurori i rastit Naim Beka dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Berat Peci.

Prokuroria e Mitrovicës akuzon Nezir Aliu se më 13 maj 2015, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Bistricë të Shalës, ka tejkaluar kompetencat e tij duke i sjellë dobi pasurore personit tjetër.

Sipas aktakuzës Aliu duke mos bërë verifikime paraprake e në kundërshtim me udhëzimin administrativ ka regjistruar personin NN, kinse Ali Sallkoviq, me shënime kinse ai është banor i fshatit Rvatska.

Kurse  nga zyrtarët e qendrës së regjistrimit në Leposaviq ishte konstatuar se nuk ekziston një banor i këtij fshati me këtë emër, e që sipas akuzës i pandehuri Nezir Aliu, nuk i ka kontrolluar librat e vjetra amzë për të vërtetuar se a janë të sakta dhe origjinale fletëkërkesat e dorëzuara nga NN personi kinse Ali Sallkoviq, me ç’rast të njëjtin e regjistron në regjistrin e lindjeve dhe njëherësh i lëshon dhe ekstraktin e lindjes.

Në pikën e dytë të dispozitivit të aktakuzës, Nezir Aliu akuzohet se në datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në pikën e parë të aktakuzës, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile, ka falsifikuar dokumentin zyrtar ashtu që ka nënshkruar dhe vulosur ekstraktin e lindjes të lëshuar në emër të Ali Sallkoviq.

Prokurori Beka në seancën e sotme ka thënë se teza e akuzës pritet të vertetohet nga provat e paraqitura, duke theksuar se pret nga i pandehuri që të jetë konsistent në deklarimet e tij pasi që, sipas tij, i pandehuri edhe më parë ka pranuar se ka bërë regjistrimin e personit.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Berat Peci, ka thënë para trupit gjykues se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vertetohet se librat e vjetra për të cilat në dispozitivin e akuzës përshkruhet se nuk i kishte kontrolluar i pandehuri, në fakt sipas avokatit, i mbrojturi i tij i kishte pranuar me vonë.

“Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor mbrojtja do të tenton të tregojë që lidhur me pikën 1 të aktakuzës ku decidivisht te përshkrimi i veprës ceket dobia pasurore e që të njejtën nuk e ka pasur i mbrojturi im, po ashtu do të provohet që pas kësaj date ku pretendohet për vepër penale, shumë muaj me pas drejtori ka pranuar librat e vjetra nga drejtori përkatës, e po ashtu sa i përket pikës 2 të akuzës do të tentohet të provohet se nuk ka pasur kurfarë mundësie që edhe po të donte të bënte falsifikim “, tha Peci.

Tutje gjykata ka vazhduar me administrimin e provave në këtë rast.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti ka njoftuar palët se gjykata i është drejtuar me kërkesë zyrtare zyrës se gjendjes civile për të vertetuar se kush e ka lëshuar ekstraktin e lindjes, ndërsa sipas përgjigjjes që e ka pranuar gjykata nga shefi i zyres së gjendjes civile në Mitrovicës, gjykata është njoftuar se ky ekstrakt është lëshuar nga një zyrtare e gjendjes civile.

Pas kësaj, prokurori Naim Beka ka propozuar që si dëshmitar të dëgjohet shefi i zyrës së gjendjes civile në komunën e Mitrovicës, me arsyetimin se ekzistojnë kontradikta në mes deklaratës së të pandehurit dhe asaj se çfarë thuhet në dokumentin e siguruar zyrtarisht nga gjykata.

Mirëpo ky propozim i prokurorit Beka, nuk është aprovuar nga trupi gjykues.

“Trupi gjykues konstaton se nuk ka nevojë dhe nuk është e domosdoshme të ftohet ky dëshmitar pasi që për rrethanat për të cilat ka propozuar prokuroria ne kemi një përgjigjje zyrtare nga vet shefi i zyrës Afrim Voca e që i është përgjigjur vetë gjykatës me datë 06.10.2019. Për më tepër ai është përgjigjur saktësisht në pyetjet e gjykatës lidhur me numrin e ekstraktit, kohën e lëshimit, zyrtarit i cili e ka lëshuar orën në të cilën është lëshuar, vulën e cila është përdorur në këtë ekstrakt, nën këto rrethana trupi gjykues e sheh të panevojshme të procedohet si dëshmitar pasi që në këtë shkresë ai është përgjigjur zyrtarish në emër të institucionit në kërkesen e gjykatës “, ka thënë gjykatësi Mehmeti.

Kurse ka aprovuar kërkesën e avokatit Berat Peci që në cilësi të provës të administrohet dokumenti nga Ministria e Punëve të Brendshme i datës 10 dhejtor 2015 i nënshkruar nga Lulzim Ejupi, drejtor i përgjithshëm i admisnitrtës së përgjithshme në MPB, dhe nga Nezir Aliu zyrtar i gjenjes civile komuna e Leosaviqit, pasi sipas tij ky dokument kishte rëndësi për faktet vendimtare.

Ndërsa meqenëse për këtë rast duhet të sigurohen prova shtesë të cilat nuk ishte e mundur që të siguroheshin për t’i administruar në këtë seancë, nga këto arsye trupi gjykues seancën e ktij shqyrtimi gjyqësor e ka shtyrë për 22 janar 2020.

I akuzuari për falsifikim deklarohet i pafajshëm para gjykatës

Shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për falsifikim