Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Dilema e tatuazhit, Supremja vendos për rastin e të akuzuarit për grabitje

Trim Vokshi ishte shpallur fajtor për grabitje në tentativë dhe ishte dënuar nga Gjykata e Gjakovës me 3 vjet e 6 muaj burgim.

Pas shumë vendimeve të marra, Gjykata Supreme se fundi ka kthyer në rivendosje vendimin për refuzim të rishikimit të procedurës.

Vendimi i Supremes për kthim në rivendosje të çështjes ka ardhur pas kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë nga mbrojtësi i të dënuarit Vokshi, avokati Arbër Guta.

Gjykata Supreme ka konstatuar se janë të bazuara pretendimet e paraqitura nga mbrojtësi i të dënuarit në kuptim që aktvendimi i Gjykatës së Gjakovës përmban shkelje ligjore për faktin se nuk përmban arsyetim lidhur me faktet vendimtare të kërkesës për rishikim të procedurës.

“Përtej kësaj shkeljet e theksuara nuk janë eliminuar me aktvendimin e gjykatës se shkallës së dytë, i cili gjithashtu është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale..”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Supremja thekson se në shkresat e lëndës del se mbrojtësi i Vokshit, ka paraqitur kërkesë për rishikim të procedurës duke u bazuar në ekspertimin teknik-transkriptimin e pamjeve dhe video-regjistrimeve të përpiluara nga eksperti kriminalistik Sedat Krasniqi.

Ekspertiza në fjalë mbështetet në dy argumente, në gjatësinë e tani të dënuarit dhe shenjën-tatuazhin në dorën e majtë të të dënuarit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, shkalla e parë nuk e ka arsyetuar mjaftueshëm çështjen e tatuazhit në dorën e majtë të dënuarit.

Në arsyetimin e vendimit të shkallës së parë është theksuar se “për faktin se ky tatuazh jo aq i madh dhe i njëjti lehtë mund të fshehet apo mbulohet e në këtë mënyrë të bëhet e pamundur vërejtja e tij nga kamerat e sigurisë”.

Këtë arsyetim të shkallës së parë Supremja e ka vlerësuar se nuk është qëndrues dhe bindës përkitazi me faktin vendimtar se ekspertiza e deponuar nga mbrojtësi a paraqet provë të re, e cila me provat tjera ka të ngjarë të arsyetojë pafajësinë e personit të dënuar në përputhje me dispozitat ligjore.

Për me tepër Supremja ka konstatuar se është në kompetencë të kolegjit të vendos për lejueshmërinë e rishikimit të procedurës dhe në asnjë rrethanë të vlerësojë validitetin dhe fuqinë provuese të provës ne fjalë.

“..pra vlerësimi dhe arsyetimi duhet përqendrohet brenda kompetencës se saj vetëm përkitazi me lejimin apo moslejimin e rishikimit të procedurës penale andaj edhe arsyetimi duhet të jetë brenda kësaj kornize ligjore dhe në asnjë rrethanë duke mos prejudikuar përfundimin e çështjes kryesore penale”, është thënë në arsyetimin e kësaj gjykate.

Arsyet e dhëna nga shkalla e parë se tatuazhi është i vogël dhe mund të mbulohet janë të paqarta për Supremen sepse fotografia e dorës është e zmadhuar nga eksperti dhe për më tepër, dora nuk ka qenë fare e mbuluar.

Për arsyet e lartcekura kjo çështje është kthyer në rivendosje.

Historiku i rastit

Më 27 prill 2020, Trim Vokshi ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Gjakovës për veprën penale të grabitjes së mbetur në tentativë.

Sipas aktgjykimit, në prill të vitit 2019 në Gjakovë në filialen ‘Rio Capital’, i akuzuari i ishte drejtuar personave brenda në lokal me fjalët ‘qitni lekët’ e pasi të njëjtit janë deklaruar se nuk kanë para, e pasi ka rënë alarmi i pandehuri me armë në dorë largohet nga vendi i ngjarjes.

Vokshi është dënuar me 3 vite e 6 muaj burgim si dhe dënim me gjobë në lartësi prej 600 euro.

Ky vendim ishte aprovuar nga Apeli dhe i akuzuari është në vuajtje të dënimit.

Në tetor të vitit 2021, avokati Guta ka paraqitur kërkesë për rishikimin e procedurës penale për këtë çështje, e cila kishte përfunduar me vendim të formës së prerë, duke paraqitur prova të reja për këtë rast.

Gjykata e shkallës së parë këtë kërkesë e kishte hedhur si të pabazuar.

Gjykata e Apelit duke vepruar sipas kërkesës së mbrojtësit e ka anuluar vendimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje.

Gjykata e Gjakovës pas kthimit të rivendosje përsëri ka marrë aktvendim me të cilin është hedhur kërkesa e të dënuarit, e ky vendim pastaj aprovohet nga shkalla e dytë.

Pas kësaj ka pasuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë ku supremja ka dal me vendimin e elaboruar në hyrje të këtij artikulli.