Shtëpia e djegur e një serbi në Klinë. Foto: Koalicioni 'Sloboda'/Facebook

Digjet shtëpia e një serbi në Klinë, reagon Nenad Rashiq

Kandidati për kryeministër nga koalicioni “Sloboda” Nenad Rashiq me anë të një postimi ka thënë se e dënon djegien e shtëpisë së D.K. nga Klina, incident që ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit.

Me anë të një postimi në Facebook, Rashiq djegien e shtëpisë e ka quajtur mesazh urrejtje ndaj serbëve dhe pronave të tyre në Kosovë.

“Në mënyrë të ashpër e dënojmë djegien e shtëpisë së Drago Koniq në Kinë, apelojmë tek akterët politikë në Kosovë, që në fushatën zgjedhore të mos dërgojnë mesazhe urrejtje dhe të mos nxisin sulme ndaj serbëve dhe pronave të tyre,  sepse paqja dhe bashkëjetesa janë çështje vitale në interes të së ardhmes të të dy popujve”, ka shkruar Rashiq.

Sipas Rashiq, ‘fatkeqësisht kjo është edhe një dëshmi që serbët e Kosovës aktualisht nuk kanë përfaqësues përgjegjës të cilët përmes veprimeve dhe iniciativave institucionale do të ofronin siguri të duhur nga organet e sigurisë.

“Përfaqësuesit tanë duhet të bëjnë një marrëveshje të trefishtë, në të cilën Prokuroria Policia dhe Qeveria duhet të garantojnë siguri dhe zgjidhje të shpejt për situata të tilla”, ka thënë Rashiq.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga Policia në Rajonin e Pejës për djegien e kësaj shtëpie.

Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Pejës, Xhevat Ibra ka konfirmuar zjarrin duke shtuar se shtëpia ka qenë e pabanuar.

“Rreth orës 00:57 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Klinë, policia është njoftuar për një zjarr që ka kapluar një shtëpi. Menjëherë pas marrjes së informatës, patrulla e policisë së bashku me njësitet e zjarrfikësve kanë reaguar por për shkak se zjarri ka qenë i madh shtëpia është djegur e gjitha”, tha Ibra.

Ai shtoi se dëmet kanë qenë te konsiderueshme por sipas tij në shtëpi nuk ka qenë asnjë person.

”Kjo shtëpi ka qenë e pabanuar. Shtëpia është kontrolluar, brenda në shtëpi nuk ka pasur njerëz”, tha Ibraj më tutje për KALLXO.com.