Gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Asim Vokshi - Foto: Vladimir Karaj

Dhurimi i apartamentit nga prindërit vë në vështirësi gjyqtarin Asim Vokshi

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit të Tiranës Asim Vokshi u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të hënën me pyetje kryesisht mbi të ardhurat e prindërve dhe ligjshmërinë e tyre.

Siç doli nga relatimi, Vokshit i kishte kaluar barra e provës për të dokumentuar të ardhurat e prindërve pas përfitimit përmes dhurimit të një apartamenti 44 metra 2 me vlerë prej 21.350 euro.

Gjyqtari u përball po ashtu me një raport negativ të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, i cili e akuzonte atë ndër të tjera për mungesë burimesh, për fshehje pasurie, deklarim të rremë dhe refuzim për të deklaruar.

Trupa e Komisionit që hetoi Vokshin, e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo), me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Suela Zhegu, vuri në dukje po ashtu edhe një denoncim të fundit ndaj gjyqtarit mbi shkelje të etikës dhe zvarritje procesi, për të cilin u kërkuan shpjegime në seancë.

Vokshi, i cili rezultoi pa probleme në kriterin e figurës, pati dhe një përballje me vëzhguesin ndërkombëtar Theo Jacobs mbi pasurinë e prindërve dhe mbi denocnimin për një vendim që ishte prishur në Apel.

Gjyqtari mbajti qëndrim se provat e sjella prej tij kishin provuar pasurinë e prindërve, megjithë vështirësinë për të gjetur dokumente. Ai po ashtu pretendoi se edhe pse Apeli kishte prishur vendimin e tij, ai kishte të njëjtën bindje të brendshme rreth çështjes për të cilën u denoncua.

Asim Vokshi ka mbaruar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe ka filluar të punojë si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2016 u emëruar gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë, ndërsa është angazhuar edhe në mësimdhënie si lektor në fakultetin e Drejtësisë dhe në Shkollën e Magjistraturës.

Pasuria e prindërve

Megjithëse raporti i ILDKPKI-së për Vokshin ishte negativ në disa drejtime, Komisioni vuri në dukje në seancë se problemi kryesor i gjyqtarit ishte vërtetimi nëse prindërit e tij kishin pasur të ardhura për t’i dhuruar atij një apartament 44 metra katrorë në vitin 2011.

Vokshi kishte deklaruar si burim të prindërve kursimet e tyre në vite, të ardhurat nga biznesi dhe trashëgimia si dhe shitblerjen e pasurive të paluajtshme.

Por Komisioni vuri në dukje se nga hetimi kishte mungesë dokumentacioni për të provuar këto të ardhura. KPK bëri me dije se nuk provoheshin të ardhurat e babait nga aktiviteti privat për rreth 1.2 milionë lekë.

Sipas Komisionit, nuk kishte asnjë dokument provues për aktivitetin tregtar të prindërve, prej të cilit supozohej se ishin kursyer 5 milionë lekë. Drejtoritë e tatimeve në Shkodër dhe në Lezhë kishin mohuar se prindërit e Vokshit ishin regjistruar.

Po ashtu u tha se mungonte dokumentacioni provues për 40 mijë marka gjermane, rreth 2.4 milionë lekë të përfituara nga trashëgimia e babait në Kosovë në fillim të viteve 2000. Sipas hetimeve rezultonte se gjyshi i Vokshit kishte lënë në Kosovë në vitin 44’ pasuri të paluajtshme dhe se xhaxhai i tij, pas luftës në Kosovë ishte interesuar te të afërmit atje dhe bashkë me të tjerë trashëgimtarë, kishin marrë një shpërblim finaciar rreth kësaj prone.

Ngjashëm KPK tha se të paktën një nga kontratat e shit-blerjes së pasurive të paluajtshme prej të cilave kishte siguruar të ardhura babai rezultonte e dyshimtë. Sipas të dhënave nga hetimi, pasuria ishte blerë nga babai i Vokshit dhe pas 3 vitesh, i ishte shitur pronarit fillestar me një çmim dy herë më të lartë.

Në fjalën e tij, duke iu referuar shpjegimeve të dhëna me shkrim, Vokshi nuk ndaloi në ndonjë prej çështjeve të ngritura, ndërsa tha se kishte sjellë prova siç kërkoheshin nga ligji dhe se kishte sjellë dokumente shtesë për të provuar disa të ardhura të babait.

I pyetur nga kryesuesja Genta Tafa (Bungo), ai tha se dëshmitë e marra nga të afërmit ishin të mjaftueshme për të provuar pasurinë e trashëguar në Kosovë. Gjyqtari tha se këto kishin ndodhur gjatë kohës që ai ishte në gjimnaz, por fakti që përfitues ishin tre-katër familje në shuma të njëjta dhe se çështja ishte zgjidhur me negocim me të afërmit, tregonte se përfitimi ishte i ligjshëm. Ai iu referuar faktit që një shumë të ngjashme kishin marrë edhe xhaxhallarët e tij.

I pyetur nga Tafa nëse si gjyqtar do e cilësonte të provuar këtë formë përfitimi pasurie, Vokshi iu referua provimit me dëshmi nga persona të ndryshëm që tregonin se prona kishte ekzistuar dhe se shpërblimi ishte marrë. Ai tha se sistemi shqiptar kishte “institut prove me dëshmitarë”. Ai tha se për shkak se dokumentet kadastralë të Kosovës ishin marrë nga Serbia pas çlirimit, nuk mund të sillte prova të tjera mbi pronësinë e gjyshit në Kosovë.

I pyetur nga vëzhguesi mbi deklarimin e 5 milionë lekëve të ardhura nga aktiviteti tregtar për të cilin nuk kishte dokumentacion dhe pse për shembull nuk ishin deklaruar 3 apo 4 milionë, Vokshi iu referua përsëri provave rrethanore. Ai tha se prindërit kishin pasur një furgon dhe se kjo tregonte që ishin marrë me tregti. Ai po ashtu iu referua faktit se ai kishte qenë nxënës në këtë kohë dhe nuk kishte pasur ndikim apo vendimmarrje në këto proces.

Në lidhje me kontratën e cilësuar të dyshimtë, Vokshi këmbënguli se ajo kishte vlerë ligjore dhe se ishte e rregullt. Ai tha se kontrata tregonte të vërtetën, ndërsa sa i përket çmimit iu referua aftësive të prindërve për të negociuar. Këmbëguljes së Jacobs për më shumë shpjegime në këtë pikë, Vokshi iu përgjigj se bëhej fjalë për një kontratë në të cilën ai nuk ishte pjesë dhe që nuk kishte “asnjë arsye për ta vënë në diskutim”. Ai tha se kishte një rast tjetër që një pronë ishte shitur më pak se sa ishte blerë dhe se kjo shpjegonte një proces pune me humbje dhe fitime.

Në relatim u vu në dukje kërkimi i shpjegimeve edhe për një makinë të dhuruar nga vëllai dhe të deklaruar me një vlerë më të vogël nga vlera e blerjes dhe po ashtu edhe mungesa në një shumë prej 600 mijë lekësh për kursimet deri në vitin 2005.

Debati për denoncimin

Raporti i DSIK-së për Vokshin ishte pozitiv. KPK po ashtu tha se nuk kishin rezultuar probleme as prej hetimit të saj. Ndërsa sa i përket profesionalizmit u vu në dukje në disa prej vendimeve të shqyrtuar kalimi i afateve formale në disa prej çështjeve, përfshi edhe një vonesë një ditore.

KPK vuri në dukje se 21 denoncime ishin gjetur të pabazuara. Në dy denoncime ishin venë re tejkalime të afatit sipas KPK, ndërsa kjo e fundit nuk vuri në dukje shkelje të tjera nga gjyqtari. Ndërkohë për një nga denoncimet u bë me dije se gjyqtari ishte akuzuar për shkelje të etikës. KPK tha se Vokshi e kishte marrë denoncimin para seancës dhe se do të përgjigjej gjatë saj.

Nga pohimet në seancë u bë me dije se bëhej fjalë për një vendim të gjyqtarit që ishte prishur në Gjykatën e Apelit dhe për të cilin Gjykata e Lartë kishte mbajtur të njëjtin qëndrim. Vokshi tha se nuk i kundështonte vendimet e gjykatave më të larta, por tha se kjo kishte qenë bindja e tij në momentin e marrjes së vendimit. Ai shpjegoi se bëhej fjalë për një çështje divorci dhe se bashkëshorti që rezultonte denoncues kishte pasur një kontratë me të shoqen mbi pasurinë, por më pas kishte synuar ta prishte atë, duke bërë pjesëtim pasurie në gjykatë.

Vokshi tha se ai ishte referuar kontratës noteriale dhe se nuk kishet pasur arsye pse palët të shkonin në gjyq për diçka që ishte vendosur mes tyre me mirëkuptim. Vokshi se asnjë prej trupave gjyqësore nuk ishte e pagabueshme, por gjykata më e lartë duhej të shihej si e pagabueshme.

Vëzhguesi Jacobs kërkoi më shumë shpjegime në këtë pikë. Ai tha se nuk e pranonte qëndrimin e Vokshit mbi vendimin e gjykatës më të lartë. “Është e qartë që ju ishit gabim, komplet gabim,” tha Jacobs, ndërsa kërkoi të dinte se si kjo kishte ndodhur duke “hamendësuar që ju nuk jeni budalla”.

Vokshi tha se vendimi i tij ishte bazuar mbi një kontratë që kishin pasur palët. Ai tha se kishte vlerësuar që kontrata kishte vlerë ligjore dhe se palët nuk mund të tërhiqeshin prej saj me pretendimin se nuk e kishin lexuar kur e kishin firmosur apo me justifikime të tjera. Ai tha se padia e bërë në gjykatë kishte marrë zgjidhje në kontratën e palëve dhe se këto ishin padi që nuk mund të ngriheshin.

Në fund, duke kërkuar që çështja e tij të shqyrtohej në tërësi, ai kërkoi të konfirmohej në detyrë. Vendimi do të njoftohet më 28 shkurt në orën 9.30. (reporter.al)