Ilustrim

Dhurata Hoxha dhe të tjerët më 1 shtator pritet të dalin para gjyqit

 

Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, drejtorit të Prokurimit, Fitim Mustafa, dhe tre ish sekretarëve të Ministrisë, Demush Shasha, Kushtrim Cukaj dhe Nuhi Osmani, të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepër penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar pritet të mbahet me datë 1 shtator, në ora 10:00.

Për KALLXO.com këtë e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Në maj të vitit 2020, BIRN kishte zbuluar se Ministria e Integrimeve Evropiane i pagoi 168,000 euro një kompanie me seli në Paris që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, mes tjerash, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas aktakuzës, hetimet në lidhje me këtë rast filluan me kërkesën e prokurorit special Dren Paca, pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com në lidhje me “Kontratat Lobuese”.

Sipas kësaj aktakuze, Dhurata Hoxha akuzohet se gjatë kohës sa ishte ministre i kishte tejkaluar kompetencat e saj në momentin kur kishte iniciuar procedurën e prokurimit dhe kishte përcaktuar se cila procedurë e prokurimit duhej të aplikohej madje edhe kishte përcaktuar emrin e kompanisë fituese për zbatimin e kontratës.

Hoxha akuzohet se këto veprime i kishte ndërmarrë në vazhdimësi pasi me kërkesë të saj ishin vazhduar kontratat me kompaninë franceze, e të cilat buxhetit të Kosovës i kishin kushtuar qindra mijëra euro.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohet edhe drejtori i prokurimit, Fitim Mustafa.

Prokuroria pretendon se Mustafa i kishte keqpërdorë detyrat e tij në momentin kur kishte kërkuar nga sekretarët e Ministrisë që ta zbatonin kërkesën e ministres Dhurata Hoxha për lidhjen dhe vazhdimin e kontratës me kompaninë franceze.

E njëjta vepër rëndon edhe mbi tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve.

Demush Shasha akuzohet se i kishte mundësuar përftim kompanisë franceze në momentin kur e kishte aprovuar kërkesën e drejtorit Fitim Mustafa dhe kishte lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesa ishte në kundërshtim me ligjin dhe se ministrja nuk ishte personi kompetent për ta iniciuar procedurën, për të përcaktuar se si do të zhvillohej procedura e prokurimit dhe as të përcaktonte kompaninë fituese.

Sipas aktakuzës këtë aktivitet Shasha fillimisht e kishte pezulluar më 23 qershor 2018 ndërsa më pas e kishte lejuar që të vazhdonte.

Sikurse ish-sekretari Demush Shasha akuzohen edhe dy sekretarët e MIE-së.

Kushtrim Cuka dhe Nuhi Osmani akuzohen se e kishin keqpërdorur detyrën e tyre pasi i kishin mundësuar përfitim kompanisë franceze me rastin e aprovimit të kërkesës së drejtorit të prokurimit edhe pse ishin në dijeni se kërkesa e tillë ishte iniciuar nga ministrja Hoxha, e cila nuk ishte personi kompetent që të inicionte dhe as të përcaktonte procedurën apo emrin e kompanisë fituese.

 

Aktakuza: Dhurata Hoxha përcaktoi emrin e kompanisë fituese për lobim në kundërshtim me ligjin