Deputeti Naser Osmani - Foto: Facebook

'Dezertojnë' ekspertët financiar, refuzojnë të bëjnë ekspertizën për gjykimin e 'Fondit 3%'

 

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-deputetit të LDK-së Naser Osmanit, dhe Atdhe Gashit për shkak se grupi i ekspertëve financiarë kishin hequr dorë nga kërkesa e cila u ishte drejtuar për të kryer ekspertizën financiare për keqpërdorimin e ‘fondit 3 %’.

Grupi i ekspertëve financiarë i përbërë nga Skender Ahmenti, Arben Dermaku dhe Alban Elshani, profesorë të Fakultetit Ekonomik në UP “Hasan Prishtina”, kanë refuzuar ta pranojnë ftesën për seancën e sotme.

Ata kishin njoftuar Gjykatën se kanë hequr dorë për përpilimin e ekspertizës financiare në këtë çështje penale.

Sipas gjykatëses Medie Bytyçi, eksperti financiar Skender Ahmeti heqjen dorë nga kjo lëndë e kishte bërë me arsyetimin se e ka të afërt njërin prej të akuzuarëve, duke mos treguar afërsinë me të dhe mos e bërë të ditur para gjykatës se me cilin prej të akuzarve njihet.

Gjykata e Prishtinës me datën 18 nëntor 2019, ka urdhëruar Universitetin ‘Hasan Prishtina’, përkatësisht dekanin e Fakultetit Ekonomik, Budë Dedaj për caktimin e 3 ekspertëve për punimin e ekspertizës financiare lidhur me këtë çështje penale.

Gjykatë e Prishtinës nga dekani i Fakultetit Ekonomik me datën 12 dhjetor 2019 ka pranuar vendimin për grupin e ekspertëve që ishin caktuar ta bënin ekspertizën financiare lidhur me’ fondin 3%’.

Ndërsa nga zyrtari i këtij Fakulteti, Samir Agushi, Gjykata ishte njoftuar me datën 23 dhjetor 2019, se grupi i ekspertëve është tërhequr nga bërja e ekspertizës financiare dhe njëkohësisht ka kërkuar nga Gjykata që të bëjë tërheqjen e lëndës nga Fakulteti Ekonomik.

Andaj në mungesë të ekspertizës financiare seanca u shtye në kohë të pacaktuar.

Ish-deputeti i LDK-së Naser Osmani, Atdhe Gashi dhe ish kryeministri Bujar Bukoshi ndaj të cilit është veçuar procedura penale për shkaqe shëndetësore akuzohen për keqpërdorimin e ‘fondit 3 %’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Fondi i cili ishte krijuar në vitet 90 kishte mbledhur miliona euro të mërgimtarëve, por edhe të qytetarëve të Kosovës të cilët depononin para për të financuar qeverinë e Kosovës në ekzil.

Qeveria ishte kthyer pasluftës në Kosovë së bashku me paratë për të themeluar fondin ‘UFORK’, me të cilin synohej të harxhoheshin disa miliona euro të mbetura.

Prokuroria akuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017.

Ata po akuzohen për keqpërdorimin e’ Fondit 3 përqind’, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve Kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve të 90 –ta.

Këto mjete ishin menaxhuar nga Bujar Bukoshi, i cili ishte kryeministër i Qeverisë  së Kosovës në ekzil.

Pas luftës, në vitin 2000, një pjesë e këtij fondi ishte orientuar në organizatën ‘UFORK’, e cila merrej me çështje të rindërtimit.

Prokuroria Speciale po pretendon se Bukoshi, Osmani dhe Gashi gjatë vitit 2006 deri më 2015, i kishin marrë për vete paratë të cilat u ishin besuar nga qytetarët e Kosovës dhe vendeve të tjera të cilët kishin kontribuar në ‘Fondin e 3 përqindëshit’.

Sipas aktakuzës ata kanë tërhequr shumën prej 154 mijë euro nga xhirollogaria e UFORK-ut, dhe nuk i kanë arsyetuar se për çfarë qëllimi i kanë marrë ato para.

Ish-kryeministri Bukoshi po akuzohet edhe për një rast tjetër, në të cilin sipas prokurorisë kishte përvetësuar shumën e 90 mijë eurove.

Në aktakuzë thuhet se Bukoshi kishte tërhequr shumën e mbi 90 mijë eurove me para në dorë dhe nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë rast e ka dëmtuar buxhetin e ‘Fondit 3 përqind’.

Tre të akuzuarit për keqpërdorim të buxhetit po akuzohen edhe për shmangie tatimore, pasi dyshohet se nuk i kanë deklaruar të ardhurat e fituara përmes transaksioneve në emër të pagave të cilat kanë qenë të detyruar t’i deklarojnë.

Me 28 prill 2017, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të ‘Fondit 3%’, kundër Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Për këtë aktakuzë nuk ishin informuar as mediat e as qytetarët e Republikës së Kosovës.

Rasti ishte i heshtur edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi më datë 23 maj 2018 kishte mbajtur shqyrtimin fillestar për të cilin nuk ishte i informuar askush.

Për shkak të gjendjes shëndetësore procedura gjyqësore ndaj ish-kryeministrit Bukoshi ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.

Procedura kishte vazhduar ndaj tashmë ish-deputetit Naser Osmani dhe Atdhe Gashit, dhe më datë 26 tetor 2018 ndaj tyre ishte mbajtur shqyrtimi i dytë në të cilin të akuzuarit kishin kundërshtuar aktakuzën dhe kishin kërkuar hedhjen e saj.

Kërkesat për hedhje të aktakuzës ishin refuzuar më datë 3 dhjetor 2018, ndërsa ndaj këtij vendimi të akuzuarit kishin ushtruar ankesë.

Instanca e dytë e drejtësisë në Kosovë më datë 17 janar 2019, i ka refuzuar ankesat dhe e ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashi.

Shtyhet seanca ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit për 3 përqindëshin