Ilustrim

Detyronin viktimat në prostitucion, rasti nuk gjykohet as 18 vjet pas

Kanë kaluar thuajse 18 vite që kur atëherë Prokuroria e Qarkut kishte ngritur aktakuzë ndaj Haki Ahmetit dhe Engjëll Shabanajt, mirëpo as sot e kësaj dite drejtësia nuk e ka dhënë një verdikt përfundimtar.

Vështirësi tash po paraqiten edhe në sigurimin e të dëmtuarve të rastit si dhe Gjykata nuk ka as adresën e saktë të njërit të akuzuar i cili as sot nuk ishte prezent në Gjykatë.

Pikërisht, mungesa e të akuzuarit Haki Ahmeti bëri që seanca e sotme të dështonte. Sipas Gjykatëses së rastit Violeta Namani në bazë të fletë-kthesës konstatohet se adresa është jo e plotë.

Haki Ahmeti dhe Engjëll Shabani nga Prokuroria akuzohen për veprën penale trafikim me njerëz.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në janar të vitit 2001, Haki Ahmeti në cilësinë e pronarit kurse i pandehuri Engjëll Shabanaj në cilësinë e menaxherit të lokalit “Masazh Bar” kanë dalur në kufirin Kosovë – Serbi ku edhe kanë marrë nga personi NN të dëmtuarat S. A., M. B., L. M. me qëllim që të i detyrojnë të merren me prostitucion. Madje, për 40 klientët e parë ato nuk janë paguar fare, ngase për këtë i kanë paguar personave NN nga edhe i kanë marrë të dëmtuarat.

Sipas dosjes së Prokurorisë më vonë, në maj të vitit 2001 të akuzuarit nga personi NN i kanë marrë edhe gjashtë të dëmtuara tjera më qëllim që të i detyrojnë të merren me prostitucion e të cilat do të paguheshin, mirëpo vetëm pas 15 klientëve të parë, për të cilat paratë u kanë dhënë personave NN të cilët i kanë sjellë këto të dëmtuara në kufi. Ndërsa pas kësaj të dëmtuarave u janë premtuar nga 50 DM për një orë marrëdhënie seksuale, kurse pjesën tjetër prej 150 DM e kanë marrë të pandehurit të cilët në fillim i kanë lidhë edhe kontratat e punës me tani të dëmtuarat të cilat kinse do të punonin si masazhere dhe vallëzuese dhe do të paguheshin nga 500 DM. Këtë shumë të dëmtuarat nuk e kanë pranuar asnjëherë edhe pse veprimtarinë e prostitucionit e kanë ushtruar deri në Qershor të vitit 2001.