Foto nga seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Ferdinand Gjinit: Kallxo.com

Detaje të reja nga Prokuroria e Gjakovës për vrasjen e Mark Kqirajt

 

 

Në procesin gjyqësor për vrasjen e Ferdinand Gjinit, përkundër që Prokuroria e Pejës ka përmendur vrasjen e Mark Kqirajt, vrasje kjo për të cilën dyshohej Bekim Raja, Prokuroria e Gjakovës nuk ka filluar hetimet.

Në një përgjigje të dhënë për KALLXO.COM nga Prokuroria e Gjakovës, thuhet se ende nuk kanë filluar hetimet por që rasti është në hetim në Polici.

“Ju njoftojmë se, ende nuk janë rihapur hetimet për këtë rast, por rasti është në hetim në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë, nga të cilët janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në bazë të autorizimit të lëshuar nga ana e kësaj Prokurorie”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë së Gjakovës dhënë për KALLXO.com

Prokurorja Valbona Disha Haxhosaj në procesin gjyqësor të vrasjes së Ferdinand Gjinit, duke treguar për motivin e të akuzuarit Bekim Raja për shtytjen dhe financimin e vrasjes së Ferdinand Gjinit, përmendi edhe vrasjen e Mark Kqirajt.

Motivi sipas prokurores lidhet me një borxh prej 10 mijë euro, për shkak të shpenzimeve për blerjen e një shtëpie për të akuzuarin Bekim Raja, shpenzime këto të paguara nga viktimat Mark Kqiraj dhe Ferdinand Gjini.

Kjo ka përfunduar me rrahjen në fshatin Shkukëz në mes të lartcekurve.

“Menjëherë pas rrahjes Bekimi e ka thirrur në telefon Mark Kqirajn, e është lajmëruar dëshmitari Martin Berisha, e Bekimi i është drejtuar me fjalët: “Jepja porosinë Mark Kqirajt, ta kam dhanë motrën për grua, kam me ta dhanë edhe vajzën time 9 vjeçe, në e pritsh Vitin e Ri dhe Krishtlindjet pa t’i lonë fëmijët jetima dhe nanën kam…”, lexoi prokurorja.

Prokurorja tha se 4 muaj pas rrahjes Mark Kqiraj është vrarë para hyrjes se shtëpisë së tij, e 9 muaj pas vrasjes se Mark Kqirajt është tentuar të vritet Pashkë Gjini dhe më 23 qershor 2014 është vrarë Ferdinand Gjini.

Sipas burimeve të KALLXO, hetimet për vrasjen e Mark Kqirajt janë pushuar nga prokurori tashmë i suspenduar Agron Matjani.

Prokurorja: I dënuari për vrasje me pagesë, i lidhur me familjen Elshani

.