Ilustrim

Detaje se si agjencioni turistik lëshonte certifikata të testeve anti-COVID

Një burrë dhe një grua janë arrestuar dje me urdhër të prokurorisë nën dyshimet se kanë falsifikuar dokumente të testit COVID-19.

Me ato dokumente të falsifikuara janë furnizuar qytetarë të ndryshëm.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin për fillim të hetimeve.

Sipas aktvendimit një agjencia turistike përmes pajisjeve kompjuterike kanë përpiluar dokumente të falsifikuara dhe atë rezultatet nga testet laboratorike të COVID-19.

Të pandehurit duke punuar në agjenci, me rastin e paraqitjes së klientëve për blerjen e biletave për udhëtim jashtë vendit, ua kanë propozuar pajisjen me rezultat të testit  PCR për COVID-19.

Për këtë kanë përpiluar pa autorizim dokument të falsifikuar në emër të një laboratori privat në Pejë.

Laboratori në fjalë ka konfirmuar se këto rezultate nuk janë lëshuar nga ata.

Prokuroria e Pejës ka parashtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të arrestuarve.

Sot gjatë ditës pritet që të mbahet seanca për paraburgim.

Lëshonin dokumente të falsifikuara të testit COVID-19, arrestohen dy të dyshuar