Detaje nga rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e gjilanasit në Ratkoc të Rahovecit

Feriz Hoti, i akuzuar për vrasjen e Hamdi Jusufit në maj të vitit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, u ballafaqua me dëshmitarin Evan Potera.

Në këtë rast, Prokuroria pretendon se Hoti kishte qëlluar Hamdi Jusufin, i cili kishte qenë me Muhamet Kiçmarin, Liridon Sylejmanin dhe Evan Poterën që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F”, për të vjedhur brenda.

Dëshmitari Evan Potera, tregoi se nuk e kishte njohur tani të ndjerin Hamdi Jusufin, të cilin natën kritike e kishte parë që kishte ardhë me Muhamet Kiçmarin dhe Liridon Sylejmanin.

Ai tha se vetura që kishin shkuar në Rahovec, kishte qenë e Liridon Sylejmanit dhe se kishin shkuar për të marrë cigare.

Potera tregoi se kishin tentuar ta hapin derën e lokalit, por nga pjesa e prapme kishte dalur një person duke iu thënë ndaluni, ndërsa të njëjtit kishin filluar të ikin.

Evan Potera, tregoi që personi që iu kishte thënë ndaluni kishte pasur një armë në dorë, me të cilën kishte gjuajtur dy herë.

Ai tha se pas dy ditësh kishte dëgjuar se Hamdi Jusufi ishte vrarë dhe se personin që kishte gjuajtur në drejtim të tyre nuk mund ta identifikojë as sot e kësaj dite.

Seanca e radhës u caktua për datën 28 shtator për mbrojtjen e të akuzuarit, nën udhëheqjen e kryetarit të trupit gjykues Gëzim Pozhegu, i ndihmuar nga anëtarët Ilir Rashkaj dhe Myfera Hoxha.

Hoti në mungesë të provave ishte liruar nga akuza e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje në shtator të vitit 2018.

Prokuroria akuzonte Hotin se këto vepra i kishte kryer natën e 17 majit të vitit 2017, në fshatin Ratkoc të komunës së Rahovecit, ku kishte qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij, duke e lënë të vrarë Hamdi Jusufin nga Gjilani.

Mirëpo, pas ankesës së prokurorisë së Gjakovës, Gjykata e Apelit këtë rast e kishte kthyet në rigjykim, me arsyetimin se dëshmitari Bajram Morina duhej të ballafaqohej drejtpërsëdrejti me të akuzuarin Feriz Hoti.

Ndërkaq, sot në seancën e dytë të rigjykimit të udhëhequr nga gjyqtari Gëzim Pozhegu, i ndihmuar edhe nga gjyqtarët Ilir Rrashkaj dhe Myfera Hoxha, do të dëshmonte dëshmitari Muhamet Kiçmari.

Sipas aktakuzës, thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F”, për të vjedhur brenda tij, ai doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Në aktakuzë thuhet se katër persona që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai kishte vazhduar të gjuante drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm rreth akuzës së Prokurorisë.

Në këtë rast, ishte rihapur gjykimi, për shkak të gjetjes së një dëshmitari të arratisur më parë nga burgu.